Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 87 vota pro, 11 kundër e 2 abstenim aktin normativ i cili detyron të mbyllen diskot dhe lokalet e natës si dhe ndalohet muzika live pas orës 20:00.

Në fjalën e saj Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu duke bërë thirrje për të miratuar aktin deklaroi se disktot dhe lokalet e natës janë kthyer në vatra potenciale infeksioni.

“Masat që po marrin, qoftë akti normativ që miratojmë sot dhe ai i detyrimit të vendosjes së maskave në ambiente të mbyllura janë masa të vlerësuara për uljen e zinxhirit të infeksionit dhe përhapjes së tij. Është analizuar që ata që frekuentojnë klubet e natës janë përhapës të një zinxhiri infeksioni përgjatë kësaj periudhe. Ata bëhen vektorë të shpërndarjes së infeksionit të moshave të tjera. Miratimi i këtij akti normative vjen në kohën e duhur në kuadër të zbatimit të masave antikovid”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë paralajmëron se nëse do kemi neglizhim të masave duket të parapërgatitemi për rritjen e infeksionit COVID-19.

“Ajo çfarë jemi duke bërë është për të marrë masa parandaluese. Ky akt normativ vjen në kuadër të këtyre masave. Po punojmë të fuqizojmë skuadrat lëvizëse tek urgjencat kombëtar në funksion të dhënies së shërbimit në banesë për qytetarët që kanë nevojë. Po fuqizojmë kapacitetet spitalore edhe ato rajonale. Po përgatisim skuadrat e rezervës për hapjen e spitaleve COVID-3 e COVID-4 dhe vijojmë kapaicitetet e testimit. Periudha që na pret në shtator, tetor, nëntor kërkon vijimin e marrjes së masave. Çdo masë restrictive nuk është e lehtë, por e domosdoshme”, tha tutje ajo.

Këtë javë vihet re një rritje e rasteve ditore dhe rritja e numrit të pacientëve që kanë nevojë për terapi intensive.

Në 24 orët e fundit janë shënuar 4 viktima duke e çuar në 148 numrin total të personave që humbën jetën. Ndërkohë, nga 507 testime kanë rezultuan pozitivë 117 persona.

Situata paraqitet e rënduar në spitalin infektiv dhe Shefqet Ndroqi, ku aktualisht janë të shtruar 123 pacientë.