Smaka thotë se presidenti është i obliguar të respektojë Kushtetutën

Smaka thotë se presidenti është i obliguar të respektojë Kushtetutën

Pas takimeve të presidentit Hashim Thaçit me liderë të partive politike në Kosovë, në kërkim të koordinimit për formim të qeverisë, profesori dhe njohësi i Kushtetutës, Riza Smaka ka thënë se vetëm partia fituese ka të drejtën të propozojë mandatarin e ri për të formuar ekzekutivin. Smaka nuk pajtohet me veprimet e presidentit për të ftuar partitë në konsultim, meqë sipas tij, Kushtetuta e përcakton qartë se si duhet vepruar tutje pas votimit të mocionit të mosbesimit.

Profesori Smaka thotë se meqë Kuvendi nuk është shpërnda por presidenti është përcaktuar për zgjedhje të qeverisë, atëherë kjo duhet të bëhet në harmoni me nenin 95, ku ftohet partia e parë fituese që të propozojë mandatarin e qeverisë.

Profesori Riza Smaka thotë se presidenti është i obliguar të respektojë Kushtetutën. Ai thotë se qeveria Kurti është në dorëheqje dhe si e tillë duhet t’i ushtrojë funksionet e saj deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Sipas tij, duhet të veprohet dhe të përfillet dispozita e nenit 95, paragrafi 1, 2, 3 dhe 4 i Kushtetutës, duke theksuar se nëse në dy raundet Lëvizja Vetëvendosje dështon të formojë qeverinë, atëherë presidenti t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Aktualisht qeveria Kurti konsiderohet qeveri në detyrë, meqë Kuvendi i Kosovës i’a mori besimin me dy të tretat e deputetëve të cilët votuan pro mocionit të mosbesimit më 25 mars.

Mocioni i mosbesimit u iniciua nga vet partneri I koalicionit, LDK, dhe u mbështet nga partitë opozitare.

Tani, presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka filluar të mbajë takime, ndaras, me të gjithë liderët e partive politike parlamentare, për të diskutuar pas rrëzimit të qeverisë.

Pas takimit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili udhëheq me ekzekutivin, tha se pas mocionit të mosbesimit vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Kurti theksoi se me presidentin mund të takohet e të bisedojë vetëm për temën e koronavirusit dhe shpërndarjen e Kuvendit, ndërsa çështje të tjera vetëm me shkrim.

Thaçi takoi pastaj kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa i cili tha se nuk është koha për zgjedhje por për një qeveri të re e cila do të vazhdonte luftën ndaj koronavirusit.

Gjithashtu, në takim u prit edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili theksoi se qëndrimi i kësaj parti është të jetë në opozitë, por që sipas tij, për shkak të pandemisë tani nuk është koha për zgjedhje të reja.

Thaçi nesër do të vazhdojë takime të ndara me kryetari n e AAK-së, Ramush Haradinajn, atë të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, Listen Serbe dhe 6+.