Maqedonci: FSK është gati, vendet mosnjohjes janë problem për në NATO
Qëndrimi armiqësorë i Serbisë ndaj Kosovës, prezenca e dyzetë e tetë bazave operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës dhe blerja e sistemeve dhe armatimit nga Rusia dhe Kina, është rrezik real dhe ashtu do ta trajtojë vendi ynë. Kështu ka thënë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka theksuar se sa i përket aspektit të përgatitjes së mbrojtjes, Kosova qëndron afër anëtarësimit në NATO, mirëpo normalisht problemi është politik.
“Prezenca ushtarake e ushtrisë së Serbisë në jug të territorit të Serbisë dhe prezenca e 48 bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës duke i shtuar kësaj edhe bazamentin që është qasja hegjemoniste dhe agresive politike e Republikës së Serbisë në raport me Republikën e Kosovës, ky rrezik është real dhe vlerësojmë që përderisa Serbia vazhdon militarizimin, blerjet e sistemeve dhe armatimit nga Rusia dhe Kina dhe përderisa rrit kapacitetet ushtarake dhe sidomos ato në kufi me vendin tonë, ky rrezik është real dhe vlerëson që vendi ynë do ta trajtojë me të vërtetë si një rrezik real,” thotë Maqedonci.
Ai shprehet se Kosova qëndron afër anëtarësimit në NATO, mirëpo problemi është politik, sidomos nga shtetet mosnjohëse.
“Ne kemi bërë hapa jashtëzakonisht të shumtë për përgatitjen e kapaciteteve tona mbrojtëse për anëtarësimin në NATO. Ministria e Mbrojtjes planifikon dhe organizon punën e saj bazuar në planifikimin që e bënë edhe NATO, në dokumentet që aplikon në NATO. Forca e Sigurisë së Kosovës zhvillohet, trajnohet dhe përgatitet siç përgatiten të gjitha vendet e NATO-s, ushtarakët tanë përgatiten me doktrinën e NATO-s dhe shumica e pjesëtarëve tanë janë të trajnuar në shkollat e tyre. Sa i përket aspektit të përgatitjes së mbrojtjes, vendi ynë qëndron afër anëtarësimit në NATO, mirëpo normalisht problemi është politik, duke pasur parasysh që është vendim politik i secilit shtet brenda tij për çështjen e pranimit apo të mospranimit të një vendi në NATO, dhe i kemi katër vende të mosnjohjes që paraqesin në vazhdimësi problem në aspektin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO,” shprehet ai.
Përndryshe, në “Samitin Ballkanik të dezinformimit”, Maqedonci ka thënë se grupet e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjska, kanë përdorur armatim të prodhuar në fabrikat shtetërore të Republikës së Serbisë dhe se kanë qenë të trajnuar nga instruktorë ushtarakë në Serbi./kp