5 korriku është datë e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni të Veriut. Kështu deklaroi Bujar Osmani nga BDI. Sipas tij dallimet mes partive politike janë përafruar shumë dhe se ato nuk janë të  patejkalueshme.

“Dallimi nuk është aq i madh mes partive politike, është diku rreth 10-15 ditë në mes dy ekstremeve sa i takon propozimeve për datën. Ashtu që 5 korriku mund të jetë një datë në të cilën mund të takohemi të gjithë”, tha Bujar Osmani, BDI.

Nga ana tjetër, i pyetur se deri ku janë bisedimet për datën e zgjedhjeve zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Dimçe Arsovski, nuk përmendi datë konkrete, por tha se janë në komunikim dhe se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrimin se duhet të krijohen kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ekziston kanal komunikimi, ne mbetemi në qëndrimin tonë dhe ai është i pandryshueshëm se duhet të krijohen kushte për zgjedhje, shëndeti i qytetarëve është para së gjithash, por të presim në periudhën e ardhshme për të parë se si do të zhvillohen ngjarjet, përfshirë edhe gjendjen shëndetësore”, tha Dimce Arsovski, VMRO-DPMNE.

Ndërsa Radmilla Shekerinska nga LSDM tha se një orë e më herët duhet të organizohen zgjedhjet edhe atë para muajve të verës.

“Edhe qëndrimi im është që zgjedhje duhet të organizojmë sa më shpejtë sepse na duhet shtet dhe institucione me kapacitet të plotë, që t’ju ndihmojmë kompanive të mbijetojnë, që t’ju ndihmojmë qytetarëve që do të janë në gjendje më të rëndë sociale dhe ekonomike, na duhen ligje dhe para nga jashtë dhe për të gjithë këto na duhet Kuvend funksional”, tha Radmilla Shekerinska, LSDM.

Ndryshe të shtunën përfundon gjendja e jashtëzakonshme, kur edhe pritet të shihet nëse presidenti Stevo Pendarovski do ta vazhdojë atë.

Nga ana tjetër edhe funksionarë të lartë të Komisionit Evropian me vëmendje po e ndjekin situatën në Maqedonisë e Veriut. Sipas korrespodentit të MIA-s në Bruksel, diplomatët e KE-së kanë vlerësuar se Maqedonia e Veriut nuk mundet përgjithmonë të mbetet me Qeveri teknike./TV21