Për shkak të rritjes drastike të personave të infektuar me koronavirus, ministri i Shëndetësisë , Venko Filipçe, urgjentisht mblodhi anëtarët e Komisionit për Sëmundje ngjitëse. Në komision janë dakorduar që të bëhet analizë epidemiologjike që të vërtetohet mënyra e transmisionit të të virusit nëpër komuna dhe qytetet në vend.

“Në bazë të kësaj do të marrim qëndrim a janë të nevojshme masa të reja të cilat do t’i kishim propozuar Qeverisë. Edhe njëherë apeloj deri tek qytetarët që t’i respektojnë masat. Është e qartë se jemi para një situate të re para vjeshtës të cilën e presim. Do të ketë masa plotësuese në qoftë se ka rritje të numrit të të infektuarve”, tha Filipçe.

Por edhe sot në mbledhjen e Komisionit nuk u diskutua për temën që po tangon qytetarët, ajo e hapjes së kufijve pa teste PCR me Kosovën dhe rajonin. Ndërkohë që jozyrtarisht TV 21 mëson se ka përplasje mes përfaqësuesve të Qeverisë përkatësisht ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe zv/kryeministri për çësthje evropiane Nikolla Dimitrov janë kundër hapjes së kufijve me Kosovën pa PCR test.

Ditë më parë zëvendësministri i Shëndetësisë Ilir Hasani shkroi në Facebook se së shpejti do të pimë kafe në Prishtinë pa test PCR.

Këtë deklaratë të Hasanit, nënkryetari i LSDM-së Muhamed Zekiri në emisionin Click Plus e quajti të përshpejtuar.

Unë gjykoj se ishte i përshpejtuar statusi i zëvendësministrit të Shëndetësisë se së shpejti do të pimë kafe në Prishtinë. Dhe ndodhi që dje të shkojë të pi kafe vet në Prishtinë, pa analizuar në përgjithësi situatën“, tha Zekiri.

Ndërkohë që dje zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, tha se nuk ka logjikë mbajtja e mbyllje së kufijve.

Nuk shoh arsye të logjikshme për t’i pasur kufijtë e mbyllur dhe kërkova  që ta adresojmë këtë çështje, z.Zaev ishte afirmativ ndërsa u vendos që brenda kësaj javë ta shqyrtojmë mundësinë rreth hapjes së kufijve“, deklaroi Grubi.

Kurse kryeministri Zaev për hapjen e kufijve mendon se duhet të jemi të kujdesshëm, si në aspektin ekonomik por edhe për atë shëndetësor./TV21