Vazhdojnë ankesat e mërgimtarëve për masat në kufijtë e Maqedonisë së Veriut. Të mërzitur tregojnë për TV21 se janë përmalluar për vendlindjen, por nuk duan të vijnë të qëndrojnë të mbyllur për dy javë.

“Për arsye të vetizolimit Maqedonia që e ka bërë këtë ligjin nuk besoj se do të vijmë, për arsye se shumë pak pushim kemi na shkon krejt pushimi në izolim. Ne i bëjmë gati 1800 km për t’i vizituar familjarët e të qëndrojmë në izolim nuk ia vlen. Ne tërë vitin jemi në izolim këtu mezi i presim pushimet  e shkollave që të vijmë t’i vizitojmë familjarët, por për në izolim nuk vijmë më mirë fare”, deklaroi Urim Ajdari – mërgimtar.

Komisioni për sëmundjet infektive ende nuk ka diskutuar rreth lehtësimit të protokollit për ardhjen e mërgimtarëve në vend. Edhe pse Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në emisionin “Click Plus” tha se për fundjavë, ky komision do të zhvillojë takim në lidhje me kufijtë, ekspertët sot nuk janë mbledhur.

“Hapja e kufijve është diçka që kërkon koordinim rajonal të të gjitha vendeve të rajonit. Vlerësimi është se të gjithë kemi rrezik të ngjashëm apo të njëjtë epidemiologjik, karakteristika të njëjta gjatë valës së parë dhe karakteristika të njëjta sa i takon intensitetit, vetëm që ne jemi të parët që reaguam. Por, është shumë me rëndësi të kemi koordinim për t’i ndjekur të gjitha kontaktet, nëse është e nevojshme. Ne do të bisedojmë për hapjen e kufijve gjatë kësaj fundjave dhe do të sjellim vendim javën e ardhshme”, tha Filipçe.

Nga Komisioni për sëmundje infektive nesër priten propozime për heqjen e masave të cilat pengojnë ardhjen e mërgimtarëve në Maqedoninë e Veriut. Këto janë PCR test jo më i vjetër se 72 orë dhe izolimi dy javorë, që vlejnë për të gjithë që hyjnë në Maqedoninë e Veriut. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi para disa ditëve tha se vendi do të humb qindra milionë euro nëse nuk vijnë mërgimtarët këtë verë. Ai poashtu tha se Qeveria do të shqyrtojë mundësinë për heqjen e këtyre masave, e këtë e mbështet edhe kryetari i Kërçovës i cili thotë se këto masa duhet hiqen.

Përkundër vendimit të Qeverisë nga 17 Qershori për hapjen e vendkalimeve kufitare të Maqedonisë së Veriut, mbeten në fuqi masat për test të detyrueshëm PCR dhe karantina gjatë hyrjes në vendin tone.

Ndryshe Serbia, Shqipëria dhe Kosova janë vendet fqinje ku qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të udhëtojnë pa test dhe pa karantinë./21Media