Në seancën e parë të Komisionit për çështje evropiane, u hap debati për sjelljen e Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi. Ministrja për punë dhe politikë sociale, Jagoda Shahpaska, tha se ky Ligj ka rëndësi thelbësore, posaçërisht para fillimit të negociatave me BE.

“Apeloj që ky ligj të sillet sa më parë për shkak se ndoshta, për disa nga ne paraqet zgjidhje ligjore që është pjesë e detyrave tona të punës si deputet në shtëpinë ligjvënëse, megjithatë kjo zgjidhje ligjore për çdo qytetarë të vendit është çështje e fatit. Vërejtjet që u nënvizuan nga Komisioni i Venedikut, tashmë janë harmonizuar në zgjidhjen ligjore që sot është lëndë e debatit”, theksoi Jagoda Shahpaska-Ministre për Punë dhe Politikë Sociale.

Nga VMRO-DPMNE theksuan se për shkak të rëndësisë, ata do të mbështesin Ligjin por në debatin e mëtejshëm do të parashtrojnë amendamente. Gordana Silljanovska reagoi për përmbajtjen e Komisionit për anti-diskriminim, ku ekziston dispozitë për përfaqësim adekuat dhe të drejtë.

“Në institucione të tilla më e rëndësishme duhet të jetë meritokracia përkatësisht profesionaliteti i anëtarëve, konkurrenca e tij, e ata si prioritet do të plotësohen me parime tjera”, u shpreh Gordana Siljanovska-deputet e VMRO-DPMNE-së.

Për këtë reagoi Arta Bilalli nga BDI.

“Ju u munduat të rrënoni gjithë mundin e këtij ligji që të ç’rrënjëzohet diskriminimi i cili ekziston në baza etnike. Kjo sipas meje është e pahijshme për një profesoreshë”, theksoi Arta Bilalli Zendeli nga BDI.

Ligji kundër diskriminimit u miratua para dy vjetëve por presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, nuk nënshkroi dekrete për shumë ligje, mes tyre edhe ky ligj, e më pas Gjykata kushtetuese e anuloi, për shkak se gjatë sjelljes nuk kanë votuar 61 deputet, aq sa nevojitet./21Media