Në seancën e sotme Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi plotësim të dekretit me fuqi ligjore për çështje të lidhura me procesin zgjedhor, me çka e angazhoi Ministrin e Punëve të Brendshme që në afat të një dite të dorëzojë listën e qytetarëve të cilët kanë dorëzuar kërkesë për nxjerrje të dokumenteve personale, si letërnjoftim ose pasaportë si dhe listën e qytetarëve të cilët mbushin 18 vjet deri ditën e zgjedhjeve ose 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, raporton TV21.

Me këtë Komisioni Shtetëror Zgjedhor detyrohet që të ndërmarrë të gjitha aktivitet e nevojshme për përgatitjen e procesit zgjedhor në përputhje me Kodin zgjedhor. Me të njëjtin vendim, Ministria e Shëndetësisë obligohet që të sigurojë mjetet e nevojshme për mbrojtje e anëtarëve të trupave zgjedhorë,-thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Sipas kësaj, pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe nëse nuk shpallet gjendje e re e jashtëzakonshme, zgjedhjet do të mbahen më 5 korrik, ndërsa Qeveria po përgatitet për të njëjtat./21Media