Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur ndalimin e të gjitha fluturimeve nga Britania e Madhe, pas paraqitjes së një varianti të ri të koronavirusit.

Paraprakisht, Komisioni i Sëmundjeve Infektive ka dalë me rekomandimin për izolimin për 14 ditë të të gjithë personave që hyjnë në Maqedoninë e Veriut nga Britania e Madhe.

“Pas informacionit të fundit në lidhje me shfaqjen e variantit të ri të koronavirusit në Britaninë e Madhe, Shtabi i Krizës miratoi vendimin për t’i ndaluar të gjitha fluturimet nga Britania e Madhe drejt Maqedonisë së Veriut. Përveç kësaj, çdo person që arrin nga ky shtet, do t’i nënshtrohet një izolimi të detyrueshëm 14-ditor”, ka bërë të ditur kryeministri Zoran Zaev.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se vendimi është miratuar si masë paraprake për parandalimin e përhapjes së variantit të ri të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut.

Varianti i ri thuhet se përhapet me shpejtësi më të madhe.