Nga: Bob Dylan

Bënte ftohtë i acartë atë natë, frynte erë
dhe rrahte fort çdo derë.
Maria tok me fëmijën e saj atje gjendej
derën e të atit kërkonte teksa endej.

“Këtë vend të ndershëm si e lashë vallë?
Isha e lirë, lumturia më shkruhej në ballë.
Ja si jam katandisur tani duke bredhur
s’kam askënd sytë për t’m’i hedhur.”

“Oh atë! Ki mëshirë për mua të mjerën
zbrit shpejtazi dhe hapma derën,
fëmija në krahun tim do të jap shpirt patjetër
nga këto erëra që po fryjnë kaq egër…”

Por plaku thirrjet nuk i dëgjoi
zëri i saj në veshët e tij nuk depërtoi,
kambanat e fshatit zunë të binin,
ulërinin larot, erërat s’po pushonin.

Oh! Plaku si duhet të jetë ndjerë
kur vajti në mëngjes te ajo derë,
Marinë e pa të vdekur, fëmijën ende gjallë,
mbështjellë në krahët e nënës së saj.

Nga ankthi nisi t’i shkulë flokët gri,
rrëketë e lotëve derdheshin faqeve të tij,
pa se ajo kishte dhënë shpirt në vend
nga erërat e egra që kishin fryrë anekënd.

Të gjorin plak pikëllimi e pushtoi,
fëmija mori rrugë, shpejt te nëna shkoi.
Te ai vend ku tani shelgjet bien mbi derë
thonë se vdiq një nuse nga e egra erë…

Baladë e famshme me origjinë angleze e fillimshekullit të 19-të. Më poshtë versioni i Bob Dylanit.

(Dylan e interpretoi këngën për herë të parë më 1980)

Shqipëroi: Bujar Meholli