Drejtori sportiv i Interit, Beppe Marotta ka folur mbi të ardhmen e mesfushorit danez, Christian Eriksen, duke e lënë të hapur mundësinë që ai të largohet në afatin kalimtar të janarit.

Ishte trajneri i Interit, Antonio Conte, ai i cili para pak ditësh ka deklaruar se Eriksen kishte shumë mundësi për të treguar kualitetet e tij me Interin, por që kjo ende nuk ka ndodhur dhe se deri atëherë ai do të bëjë zgjedhje të tjera për mesfushën.

Këtë mendim po e përkrahë edhe Beppe Marotta, i cili ka thënë për DAZN se “Conte deklaroi me qetësi se klubi nuk duhet ta mbajë një lojtar, i cili kërkon të largohet”.

“Eriksen po sillet si profesionist. Ai është një lojtar në dispozicion të Contes dhe ajo që bën trajneri është në lidhje me lojtarin dhe klubin. Eriksen nuk ka bërë ndonjë kërkesë për t’u larguar, por kur të vijë koha e duhur do të përpiqemi të gjejmë kombinimet e duhura”, ka shtuar ai.