Marrëveshja në sytë e ekonomistëve: Normalizimi i raporteve me Serbinë sjell dobi

Kur ka mbetur më pak se një javë nga takimi i radhës i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar rreth planit të Bashkimit Evropian për dialogun dhe udhërrëfyesin e zbatimit të tij, njohësit e ekonomisë konsiderojnë se implementimi i kësaj marrëveshjeje do të sillte përfitime ekonomike për vendin, ndërsa e kundërta do të ishte katastrofale.
Sipas tyre, normalizimi i marrëdhënieve do t’i hapte rrugë edhe ardhjes së shumë investitorëve të huaj të cilët e shohin si shumë të rëndësishme stabilitetin politik dhe sigurinë e një rajoni.
Ekonomisti Besnik Avdiaj ka renditur disa nga përfitimet ekonomike që mund t’i sjellë impementimi i mundshëm i marrëveshjes.
“Përfitimet ekonomike nga një marrëveshje potenciale që do të dakrodohen ndërmjet paleve duhet të shihen në disa rrafshe, duke filluar nga stabiliteti politik në vend, i cili në mënyrë direkte influeson edhe sigurinë e investitorëve, qoftë atyre që tashmë janë pjesë e tregut të ekonomisë tonë apo investitoreve potencialë të huaj që mund të vijnë dhe të sjellin kapitalin e tyre në vendin tonë. Anën tjetër mund të shihet si një lloj përfitimi direkt si rezultat i marrveshjës ku shtetet garantuese të impementimit të kësaj marrëveshjeje do të përfishijnë në garancën e tyre edhe investime të patjetërsueshme në të dyja vendet. Pastaj do të lehtësohen shumë procedura të tjera të të bërit biznes, veçanërisht duke marrë parasysh integrimet ekonomike evropiane, ku do të jepen shumë mundësi bizneseve nga Kosova që të jenë pjesë e partneriteteve të pjesëmarrjeve të eventeve të ndryshme që kanë në thelb zhvillimin dhe fuqizimin biznesor”, ka thënë Avdiaj.
Njohësi i ekonomisë, Florin Aliu ka thënë për KosovaPress se implementimi i mundshëm i kësaj marrëveshjeje i hap rrugë edhe shumë projekteve të tjera me vendet e Bashkimit Evropian.
“Kjo marrëveshje i hap rrugë perspektives evropiane të Kosovës. Ka qenë një vendim jo i lehtë i kryeministrit, vendim i vështirë por i duhur, për arsyeje se zgjidhja tjetër do të ishte katastrofale për ne, kishte me qenë shkatërruese për ekonominë në Kosovë… Ne e kemi menduar rrugën në anëtarësimin e BE-së dhe kjo e mundëson atë, po ashtu mundëson përfundimin e tranzicionit në Kosovë, për arsyeje se tranzicioni përfundon me momentin e bashkimit në BE, financimi po ashtu i hap rrugë edhe shumë projekteve tjera në raport me BE-në, është mundësi shumë e mirë…Ndërsa, reformat janë ato që duhet të merren brenda, nuk ka një paketë financiare që na premtohet se do ta bëjë ristrukturimin e ekonomisë tonë, reformat duhet të merren brenda vendit dhe këtu qeveria ka probleme shumë në raport me këto reforma, sidomos në reformat në raport me zhvillimin, të ardhurat e qytetarëve. Prandaj, kjo do të ishte një mundësi jashtëzakonisht e mirë, sidomos për thithjen e investimeve financiare nga jashtë, andaj kjo do i jep një zgjidhje ekonomisë së Kosovë”, ka thënë Aliu.
Edhe për njohësin tjetër të ekonomisë, Jakup Bellaqa, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do t’i jepte mundësinë vendit që të forcohej ekonomikisht pasi shteti fqinj nuk do të mund të bënte më pengesa si më parë.
“Në aspektin ekonomik e shoh si pozitive sepse me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe mos pengimin e institucioneve ndërkombëtare, Kosovës i hapen dyert në aspektin ekonomik, nga një treg vendor regjional shndërrohet në një treg evropian…Me këtë rast Kosova e forcon subjektivitetin juridik dhe ekonomik, ku është më e hapur për tregti të lirë, të ketë marrëveshje kontraktuale me shtetet e tjera, Serbia obligohet që të respektojë marrëveshjen dhe mos ta pengojë Kosovën, siç ka qenë e penguar edhe në aspektin ekonomik… Kosovës i hapen dyert për një treg evropian… Kosova i ka potencialet, mundësitë që të zhvillohet shumë shpejtë dhe ta fuqizojë ekonominë, të reformohet politikisht, të këtë një rritje ekonomike më të madhe dhe të ndryshojë edhe politikat makro-ekonomike. Me këtë përfiton edhe buxheti i Kosovës sepse rriten të hyrat buxhetore. Një ekonomi zhvillohet nëse është e hapur”, ka thënë Bellaqa.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Akelsandër Vuçiq do të takohen sërish më 18 mars në Ohër nën ndërmjetësimin e BE-së.

Back to top button