Ministria e Shëndetësisë me ndalesa të reja

Ministria e Shëndetësisë me ndalesa të reja

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit koronavirus COVID 19, i shpallur tashmë si kërcënim global i shëndetit publik, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka sjellë sot vendim edhe për disa masa specifike për institucionet shëndetësore.

-Urdhërohen menjëherë Institucionet shëndetësore publike stomatologjike në të tri nivelet e kujdesit shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës të punojnë vetëm në raste urgjente respektivisht në menaxhimin e dhimbjeve dhe indikacionet për nxjerrje të dhëmbit; dhe të menaxhojnë stafin konform situatës aktuale;

-Urdhërohen menjëherë të ndërpresin punën të gjitha Institucionet shëndetësore private spitalore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës që ofrojnë shërbimet për rehabilitim fizikal dhe klimatik dhe shërbimet e terapisë fizikale me rehabilitim (Banja e Kllokotit, Nëna Naile dhe Onix Spa);

-Urdhërohen menjëherë të ndërpresin punën të gjitha Institucionet shëndetësore private jashtë spitalore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, si ambulancat stomatologjike, ambulancat e terapisë fizikale dhe ambulancat specialistike të mjekësisë fizikale;

Sipas vendimit të Ministrisë, obligohet Inspektorati Shëndetësor të ndërmarrë veprimet e menjëhershme për zbatimin e këtij vendimi në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Deri më tani në Kosovë janë 21 raste të konfirmuara me virusin COVID-19./21Media