Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në dy ditët e fundit, ka njoftuar se nëse vazhdohet me përkeqësim të situatës, janë të detyruar të shtrëngojnë masat.

Zemaj derisa ka folur për 100 ditëshin e punës së tij në Ministrinë e Shëndetësisë, është zotuar se përkundër sfidave me pandeminë, e kanë mbajtur nën kontroll menaxhimin e kësaj situate.

“Sot është momenti për të tërhequr vërejtjen se rezultatet e mira të shënuar kohëve të fundit me COVID-19 duhet t’i përkthejmë në aktivitete konkrete për ta mbajtur situatën nën kontroll rreth menaxhimit të pandemisë COVID-19. Në dy ditët e fundit kemi pasur rritje të lehtë të rasteve, që na jep ta kuptojmë se nuk është momenti për ta ulur ritmin e angazhimeve, inspektimeve, dhe masave tjera kundër këtij infeksioni. Shohim se mungesa e dispilinës në institucione të ndryshme, komunitet, dhe gjithashtu fluksi i ardhjes së qytetarëve nga vendet me rrezik më të lartë kanë bërë që të ketë një rritje më të lartë, e cila nga ne kërkon angazhim dhe kujdes maksimal”, ka deklaruar Zemaj.

Derisa ka folur për numrin e rasteve brenda 24 orëve, ai ka theksuar se vetëm në Prishtinë janë konfirmuar më shumë se 20 raste të reja të fushave të ndryshme.

“Në dy ditët e fundit kemi rritje të rasteve me të infektuar me COVID-19, dje kemi pasur 79 raste, sot 80 raste pozitive. Nga 764, përkatësisht nga 566 mostra për 24 orë të fundit. Prej këtyre rasteve 21 janë në Prishtinë, katër nxënës, një profesor, një programer, një kontraller i trafikut ajror, një laborant, dy pensionistë, tre ekonomistë në institucione publike, një auditor, një amvise, një mjek, një zyrtar i një ambasade të huajë, një pjesëtar i FSK-së, një gazetar i RTK-së dhe një polic i Kosovës”,  ka thënë ai.

Lirimi i masave me 25 shtator ka deklaruar se është bërë me kushtin se aktivitetet të zhvillohen duke u bazuar në udhëzimet përkatëse për parandalimin e përhapjes COVID-19. Ai ka përsëritur thirrjen për respektim të masave, në të kundërtën ka njoftuar se do të vendoset për masa të reja.

“Nëse nuk veprohet kështu, në ditët në vijim, masat e reja shtrënguese janë të domosdoshme. U bëjë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë me disiplinë në bartjen e maskës, ruajtjen e distancës dhe mbajtjen e higjienës personale dhe kolektive” ka theksuar ai.