Kryministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke shpalosur masat e reja antiCovid ka prezantuar hartën me shkallën e infeksioneve e cila ndahet në tri zona të rrezikshmërisë: zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët, zona portokalli me rrezikshmëri mesatare dhe zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë.

Harta është ndarë në tri grupe të komunave:

Në zonën e gjelbër futen komunat me rrezikshëri të ulët, deri në 75 të infektuar në javë për 100 mijë banorë.

Në zonën portokalli futen komunat me rrezikshëri të mesme, nga 76 deri në 149 të infektuar në javë për 100 mijë banorë.

Në zonën e kuqe futen komunat me rrezikshëri të lartë, mbi 150 të infektuar në javë për 100 mijë banorë.

“Në komunat që janë në zonën e gjelbër kemi lejuar që sektorët ekonomik të punojnë nga ora 05:00 deri në 20:00. Kemi rregulluar transportin publik dhe të taksive. Kemi kufizuar qendrat tregtare nga 05:00 deri në 20:00. Gastronomisë nga ora 05:00 deri në 20:00, pas kësaj merr me vete”, tha ai.

“Komunat me rrezik të mesëm, punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00. Gastronomia 05:00 deri në 18:00, pas kësaj ore merr me vete. Në këto komuna institucionet publike dhe private punojnë me stafin esencial. Qendrat tregtare nga ora 05:00 deri në orën 18:00”, tha ai.

 

“Rreziku më i lartë është në komunat që tejkalojnë 150 të infektuar brenda javës. Janë 7 komuna dhe duke e pa madhësinë i kemi marrë dy veprime, e lejojmë aktivitetin ekonomik të zhvillohet deri në orën 19:00. Nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i lëvizjes së qytetarëve në këto komuna. Ndalohet hyrje-daljet nga këto komuna nga ora 19:00 deri në orën 05:00”, tha ai.