Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, pas hyrjes në fuqi të masave të reja u bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë ato.

“Pa ndihmën e juaj nuk mund të arrijmë sukses. Mjekët, infermierët, stafi teknik, policia, inspektoratet dhe shtabet emergjente, janë në krye të detyrës. Mos ua vështirësoni atyre punën dhe vetes jetën. Mos e shtoni numrin e të infektuarve nga pakujdesia.”, shkroi Hoti në Facebook.

Me masat e reja lëvizja e qytetarëve, është e përcaktuar sipas numrit të të infektuarve në 7 ditët e fundit në 100.000 banorë dhe masat janë të marra sipas kategorizimeve me zona.

Në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë, me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë 9 komuna si: Komuna e Prishtinës, Fushë -Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Shtimes, Podujevës dhe Pejës dhe Ferizaj.

Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm me 76 deri me 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat (19) në vijim: Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Leposavic, Deçan, Klinë, Drenas, Prizren, Hani i Elezit, Suhareka, Lipjani, Graçanica, Novobërda, Kamenica, Ranillugu, Parteshi, Vitia dhe Kaqaniku dhe Kllokoti.

Në zonën e gjelbërt bëjnë pjesë komunat (10) me rrezik të ulët, me 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat si në vijim: Malisheva, Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Rahoveci, Juniku, Skenderaj, Istogu, Zubin Potoku dhe Zveçani./21Media