Në debatin për pandeminë janë përplasur deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj për ligjin e pandemisë.

Deputetja Kusari-Lila duke akuzuar zëvendëskryeministrin Selmanaj për joprofesionalizëm rreth luftimit të pandemisë, tha se Qeveria Hoti sot me tri vendime ka shkelur Kushtetutën.

Megjithatë, ajo tha se nuk do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Të ri vendimet sotme të Qeverisë Hoti janë vendime jashtë Kushtetutës, të gjitha pikat përbrenda mund të kontestohen nga Gjykata. Ne nuk duam ta shfrytëzojmë këtë si lojë politike dhe ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuesen e t’iu themi sot të gjitha organeve të rendit dhe sigurisë se nuk kanë bazë për dënim të qytetarëve kur i nxënë në rrugë pa maska ose pa masa mbrojtëse. Nuk bëjmë thirrje sic ka bërë thirrje presidenti I Republikës për mos mbajtje ose mos respektim të masave për arsye se kemi përgjegjësi. Por duhet t’iu vije turp juve që vini këtu e nuk e sillni ligjin dhe konstatoni se nuk ka nevojë për ligj të tillë(për pandeminë)”, ka thënë ajo.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar zëvendëskryeministri Driton Selmanaj. Duke folur për qëndrimin e Qeverisë rreth projektligjet për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19, tha se është e pa kuptimtë që një ekonomist t’i drejtohet një juristi për çështje ligjore.

Selmanaj iu ka referuar nenit 55 të Gjykatës Kushtetuese rreth kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Tash kur një ekonomist i thotë juristit që s’po dinë me lexua ose s’po e kupton ligjin. E tash çka me të thënë unë ty, ti dinë me lexua këtë. Pra, mos. Po I referohemi Gjykatës Kushtetuese: Kuvendi thotë nuk i ka duart tërësisht të lira që të bëjë kufizimin që të bëjë kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut sipas nenit 55”, ka thënë Selmanaj.

Debati për menaxhimin e pandemisë në këtë seancë parlamentare që po vazhdon ende, ka pasur akuza dhe kundër akuza.