Sipas Kurteshit, të shtunën që është dashur të jetë ditë e parë e kompensimit të mësimit

Sipas Kurteshit, të shtunën që është dashur të jetë ditë e parë e kompensimit të mësimit

Gjatë një diskutimi për gjendjen në arsim në gjysmë vjetorin e dytë që ka filluar me tri javë vonesë, anëtarët e Komisionit parlamentar për Arsim sot kanë kërkuar nga Sindikata e Arsimit (SBASHK) që të kompensojnë orët e mësimit të humbura në janar për shkak të grevës së mësimdhënësve.

SBASHK e ka paditur në Gjykatë MASHT-in në lidhje me këtë vendim dhe ka kërkuar anulimin e vendimit për kompensimin e orëve.

Gjykata, ditë më parë ka refuzuar njërën nga ankesat e SBASHK-ut atë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nga ana e MASHT-it.

Kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi ka theksuar se të shtunën që është dashur të jetë ditë e parë e kompensimit të mësimit, ka pasur një lloj kaosi në nivel vendi.

Andaj, Kurteshi ka thënë se disa shkolla, të cilat e kanë mbajtur mësimin dhe kanë respektuar vendimin e Ministrisë, ndërsa një pjesë nuk e kanë mbajtur mësimin, duke respektuar kërkesën e Sindikatës që të mos shkojnë në mësim.

Ai ka thënë se Sindikata duhet ta rishqyrtojë vendimin e saj dhe të mundësohet kompensimi i orëve të mësimit.

“Pas humbjes së madhe të mësimit që ka ndodhur e që mendoj se është e pa kompensueshme e për të cilën dikush do të duhej të përgjigjej, sepse marrëveshja që është bërë pas tri jave ka mundur me u bërë në tri ditët e para. Tash po na lind edhe një çrregullim i madh në arsim, një pjesë duke zëvendësuar. Në momentin kur Sindikata e Arsimit çështjen e ka dërguar në Gjykatë, ajo është dashur ta respektoj vendimin e Gjykatës çfarëdo qoftë ai. Sepse nëse ne respektojmë vendime vetëm kur ato vendime na përgjigjen neve, është mirë mos me i dërguar në Gjykatë hiq’, ka thënë Kurteshi.

Ndërsa, Teuta Haxhiu, anëtare e komisionit ka theksuar se zëvendësimi i orëve të humbura të mësimit me vendim të MAShT është i drejtë. Haxhiu ka thënë se është mirë që Sindikata e Arsimit të jetë unike, që mos të ketë laramani për kompensimin e mësimit të humbur.

Ndërkaq, Driton Çaushi, anëtar në Komision ka thënë se ky kundërshtim i vendimit të MASHT është i papërgjegjshëm nga SBASHK.

Çaushi ka propozuar që ky Komision të jetë një lloj ndërmjetësuesi ndërmjet SBASHK dhe MASHT për zgjidhjen e këtij problemi.

Edhe Luljeta Veseli, anëtare e Komisionit ka deklaruar se kompensimi i mësimit në disa komuna dhe në disa jo, tregon një politizim të arsimit në Kosovë.

Komisioni ka vendosur që të premten të raportojnë në këtë komision, SBAShK-u dhe ministri i Arsimit lidhur kontestimin e zëvendësimet të orëve të mësimit.

Në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi është bërë formimi i grupeve punuese për monitorim të ligjeve, atë për Trashëgimi Kulturore, për Arsim parauniversitar, si dhe për mbikëqyrjen e Inspektoratit të Arsimit.