Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të grave dhe fëmijëve, konform vendimit të Qeverisë së Kosovës për lirimin e grave shtatzëna nga puna, MAShTI, ka kërkuar nga drejtoritë komunale të arsimit, numrin e saktë të të punësuarave shtatzëna në institucionet edukativo-arsimore.

MAShTI thekson se në bashkëpunim edhe me Fakultetin e Edukimit, komunat dhe shkollat, do të sigurohet që nxënësit të mos të humbin orët mësimore, njëkohësisht grave shtatzëna t’u realizohet e drejta e tyre.

Lidhur me zbatimin e masës 7 të Qeverisë, e cila obligon institucionet publike, pra edhe ato të arsimit “që të gjitha punëtoret shtatzëna duhet të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur në punë duke iu krijuar mundësinë që të punojnë nga shtëpia”, ka reaguar edhe SBASHK-u.

SBASHK-u kërkon nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të këtyre masave të Qeverisë që të angazhohen dhe inspektojnë lidhur me zbatimin e kësaj mase në institucionet arsimore dhe të obligojnë institucionet që punëtoret shtatzëna të lirohen menjëherë nga procesi mësimor, që është duke u zhvilluar me prezencë fizike në institucionet arsimore, aq më tepër kur sistemi arsimor është vlerësuar si nga më të rrezikuarit nga prekja me Covid dhe të marrin masa adekuate e konformë Ligjit për ata që nuk i zbatojnë këto masa për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

“SBASHK lidhur me këtë kërkesë ka komunikuar edhe me ministren Nagavci dhe apelon të shkollat dhe Drejtoritë Arsimore që të bashkëpunojnë ngushtë dhe ta ndihmojnë Ministren Nagavci për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme në mënyrë që të nis së implementuari masa 7 në mënyrë që punëtorët shtatzëna në tërë sistemin arsimor, që nga çerdhet e deri në Universitet të lirohen nga obligimi i paraqitjes në vendet e punës e duke gjetur zëvendësim adekuat për to që nga dita e nesërme”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut./21Media