Mattis: Siria ka ende armë kimike

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis deklaroi të premten gjatë një vizite në Izrael se nuk kishte dyshime që regjimi sirian i Bashar al Asadit ka ruajtur armë kimike

Gjatë një konference për shtyp në prani të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, Matis paralajmëroi regjimin sirian kundër një përdorimi të armëve kimike pas sulmit të dyshuar të 4 prillit në një rajon në veri të Sirisë.

Në atë kohë ushtria amerikane reagoi duke zhvilluar sulme kundër një baze ajrore siriane.

“Nuk ka asnjë dyshim për komunitetin ndërkombëtare se Siria ka ruajtur armë kimike, në shkelje të marrëveshjes dhe të pohimeve për shkatërrimin e tyre. Kjo është një shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe duhet të trajtohet në nivel diplomatik”, ka thënë shefi i Pentagonit.

Sipas tij, sulmet amerikane ndaj bazës ajrore siriane, ishin një paralajmërim ndaj regjimit për të mos përdorur sërish armë kimike.

Ndryshe, një studim izraelit ka treguar se regjimi i Asadit kishte qenë gjithnjë në zotërim të armëve kimike dhe vlerësohet se posedon një deri në tre tonë armë kimike.

Back to top button