Njësoj si ditën e djeshme, dhjetra maturantë janë mbledhur sërish në protestë këtë të shtunë përpara Ministrisë së Arsimit në Shqipëri.

Shkak është bërë provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë ku sipas tyre provimi ishte i ndërtuar me pyetje subjektive dhe disa alternativa që ishin përfshirë nuk ishin pjesë e programit mësimor.

Ata kërkojnë që protestës së sotme t’i bashkohen studentë, mësues dhe prindërit të cilët janë prekur gjithashtu nga ky provim.

Nxënësit që kanë dalë në protestë shprehen se gjatë ditës së djeshme kanë marrë kërcënime nëpërmjet telefonit ku u është kërkuar bojkotimi i protestës.

“Ministrja nuk e ka përmendur në deklaratën e saj dje por në mediat sociale janë publikuar shumë presione nga ana e Bashkisë. Gjithçka është bërë nga Ministria për të na shtypur neve. Presioni drejtpërdrejtë ishte ai i djeshmi ku na janë mbajtur emrat dhe jemi kërcënuar disa herë që ne jemi militantë partie kur ne e kemi deklaruar vazhdimisht që ne nuk përfaqësojmë parti, por kemi ardhur për të drejtat tona”,  deklaron një prej maturantëve.

Me pankarta nëpër duar dje ata qëndruan përreth 6 orë përpara Ministrisë së Arsimit. Nxënësit kërkojnë rivlerësimin e provimit, mos vlerësim për pyetjet jashtë programit dhe uljen e pragut të vlerësimit.