Mërgim Mavraj largohet shpejt nga kampionati grek

Mërgim Mavraj largohet shpejt nga kampionati grek

Mbrojtësi shqiptar ka luajtur për vetëm gjashtë muaj në Greqi. Mërgim Mavraj largohet shpejt nga kampionati grek.

Qendërmbrojtësi nënshkroi në verë me Aris Selanik, por largohet sepse ka ndjerë mungesë respekti ndaj tij. Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë flet hapur dhe në njëfarë mënyre edhe akuzon.

“Anulova kontratën me Aris dhe do të nënshkruaj me skuadrën e Ingolstadt, në Gjermani”, tha fillimisht Mavraj. “Do të bashkohem me klubin në Spanjë më pas për fazën përgatitore. Arsyeja pse largohem është sepse e kam ndjerë veten shumë të mos respektuar. U folën shumë gjëra, por asnjëherë për futboll dhe për mua si futbollist. U fol për gjëra që nuk kanë të bëjnë me futbollin dhe paraqitjet në fushë, por, thashetheme”, ka thënë Mavraj.

Tutje mbrojtësi shqiptar ka treguar se është përballë me gjëra jo serioze.

“Më rënduan si profesionist dhe si lojtar, pasi kur vendosa të transferohem në Greqi e bëra për të ndihmuar një klub që besoi te unë. Të gjitha më pas e vështirësuan situatën. U ballafaqova me gjëra jo serioze. Mungoi mirësjellja edhe kundrejt punës time. Këto janë shkaqet që nuk më lejuan të jap më të mirën”, theksoi mbrojtësi shqiptar, Mergim Mavraj.