Për rreth 8300 nxënës që e kanë paraqitur testin e Maturës Shtetërore 2020 për afatin e dytë, me fillim në orën 10:00, do të mbahet testi në 84 qendra të testimit në gjithë Kosovën.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka bërë të gjitha përgatitjet që edhe afati i dytë i këtij testi, i cili këtë vit po mbahet në kushte të pandemisë COVID-19, të shkojë sipas planifikimit.

Komisioni Shtetëror i Maturës bën të ditur se në këtë proces do të jenë të angazhuar 252 komisionerë, 900 administrues dhe 84 mbikëqyrës dhe testi do të mbahet nën masa të shtuara të kujdesit për ruajtjen e shëndetit të të gjithë pjesëmarrësve në proces.

Edhe kësaj radhe, mediet mund të kenë çasje nëpër qendra të testimit, në koordinim me komisionin e qendrës së testimit, deri në orën 09:30.

Në afatin e parë të Maturës Shtetërore, testin e kanë kaluar 17.105 nxënës nga 25.362 sa kanë marrë pjesë në test, ndërsa për 8.257 maturantë mbetet si mundësi edhe afati i dytë i Provimit të Maturës./kp