Aktivitet për mbledhjen e mbeturinave në Gërmi

Aktivitet për mbledhjen e mbeturinave në Gërmi

Ambasada e Suedisë në Kosovë sot në Parkun e Gërmisë mbajti një aktivitet të ashtuquajtur “Plogging” për mbledhjen e mbeturinave, e cila është nismë që po përhapet në mbarë botën, duke vrapuar, ecur dhe shëtitur, në të njëjtën kohë mblidhen edhe mbeturina.

Ky trend në Kosovë është sjell nga Ambasada e Suedisë, ku ambasadori në largim Henrik Nilsson, shpalli hapjen e aktivitetit te porta hyrëse e Parkut të Gërmisë në Prishtinë. Me këtë rast Nilson tha se ky trend përçon mesazh për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit e që në të njëjtën kohë është i dobishëm për shëndetin.

Diplomati suedez uron që ky aktivitet të nxisë qytetarët të organizojnë “Plogging” në mbarë Kosovën për mbajtjen e ambientit të pastër, pasi angazhimi i përbashkët është më se i rëndësishëm, si dhe ka inkurajuar të rinjtë, të moshuarit, vrapues dhe jo-vrapues që t’i bashkohen kësaj nisme për shëndet më të mirë dhe për Kosovën pa plehra.

“Jemi mbledhur për të bërë diçka të rëndësishme për mjedisin… Unë jam një individ, por së bashku jemi një masë dhe kur bëhemi bashkë, gjëra të mëdha mund të ndodhin”, tha Nilsson.

Për Suedinë, mbrojtja e mjedisit është prioritet, andaj Suedia dhe Kosova bashkëpunojnë me Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor dhe me organizata të shoqërisë civile me qëllim që të kontribuojnë për mjedis më të mirë, më të pastër dhe më të shëndetshëm. /21Media