Sot në zyrat e Federatës së Basketbollit të Shqipërisë (FSHB) në Tiranë u mbajt takimi i parë i Bordit Drejtues të Ligës Unike.

Anëtarë të Bordit Drejtues të Ligës Unike janë: Shaqir Totaj, Edmond Biqoku, Elvira Dushku, Korab Llazani, derisa kryetar është zgjedhur Ilir Trebicka, një emër i njohur që ka dhënë shumë kontribut në basketbollin shqiptar apo edhe ikonë e basketbollit shqiptar.

Bordi më pas e emëroi drejtorin e Ligës, Dren Zatriqin, kurse sekretar teknik u zgjodh Fidan Hamiti.

Në këtë takim u zotuan se do të punojnë që kjo ligë të jetë sa më e suksesshme dhe interesante për publikun, klubet dhe adhuruesit e basketbollit.

Takimi i radhës i Bordit do të mbahet në Prishtinë, ku do të diskutohet për detaje tjera të Ligës Unike.

Ndërkohë, sonte në mbrëmje, nga ora 19:00 edhe zyrtarisht do të nënshkruhet marrëveshja për formimin e Ligës Unike mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjithashtu në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshje do të jetë edhe presidenti i FIBA Europës, Turgay Demirel.

Liga Unike do të ketë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër nga Shqipëria.