Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, infektimet në mbarë botën kanë arritur në 16 milionë e 46 mijë e 986 persona, përfshirë këtu të vdekurit që llogariten në 644 mijë e 528.

Ndërkohë, sërish sipas universitetit amerikan, që nga fillimi i pandemisë janë shëruar 9 milionë e 262 mijë e 520 persona.

Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi të shtunën se infektimet në botë e kishin regjistruar rekordin ditor të premten, me 284 mijë e 196 njësi, ndërkohë që rekordi i mëparshëm ishte ai i së shtunës së javës së kaluar, me thuajse 260 mijë raste.

Vendet me rastet më të shumta të infektimeve mbeten Shtetet e Bashkuara dhe Brazili, përkatësisht me 68 mijë dhe 51 mijë njësi në ditë.

Ndërkohë, vende të ndryshme kanë marrë masa të ndryshme për t’i bërë ballë epidemisë, që po kërcënon me një valë të dytë.

Kështu, autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar kanë vendosur të fusin në karantinë këdo që kthehet nga Spanja, ku në javët e fundit ka patur një rritje të infektimeve. Qytetarët që kthehen nga vendi iberik do të qëndrojnë të izoluar për të paktën 2 javë.

Ndërsa në Korenë e Veriut është konstatuar rasti i parë i dyshimtë me COVID-19. Sipas agjencisë KCNA, bëhet fjalë për një dezertor që kishte qenë në Jug e që ishte kthyer sërish në vend.

Lideri Kim Jong Un ka thirrur një mbledhje urgjente të kabinetit të tij, ndërsa ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në qytetin kufitar. /21Media