Mbi 18 mijë zarfe të refuzuara nga jashtë, vlerësimi pritet të përfundojë të shtunën

 

Pas vendimit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani janë rinumëruar rreth 70% të vendvotimeve. Po ashtu, nga pakot e supozuara me fletëvotime, janë 48 mijë e 728 zarfe të aprovuara dhe 18 mijë e 876 zarfe të refuzuara.

Kështu informoi sot zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili tha se në QNR aktualisht janë duke u rinumërimuar vendvotimet, për të cilat ka vendosur KQZ-ja dhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

Për këto të fundit, ai tha se pritet të përfundojnë të shtunën.

“Deri më tani janë rinumëruar rreth 70% apo 377 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre pas vendimit të fundit të KQZ-së. Shërbimi votues i KQZ-së është në përfundim e sipër të vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga 2 – 12 shkurt”, tha ai.

Elezi shtoi se deri më tani janë hapur 41 mijë e 236 pako të supozura me fletëvotime.

“Prej nga kemi të aprovuara 48 mijë e 728 zarfe me fletëvotime dhe 18 mijë e 876 zarfe të refuzuara. Arsyet e mosaprovimit të tyre janë të ndryshme, por mund të kategorizohen në 5 grupe kryesore: 8 mijë e 417 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 6 mijë e 113 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 1 mijë e 268 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 2 mijë e 249 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 829 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim”, u shpreh ai.

Pas vlerësimit të këtyre pakove të supozuara, Elezi tha se do të fillojë numërimi i atyre me kusht dhe me postë.

“Mund të themi se janë në përfundim e sipër dhe presim që të përmbyllen ditën e shtunë. Kjo na bën të mundur që të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe votave të ardhura me postë. Pas përfundimit të tyre dhe procedurave këtu në QNR, atëherë KQZ-ja është e gatshme për të shpallur rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët dhe besojmë shumë se do të bëhet në fillim të javës”, ka shtuar ai./kp

Back to top button