Mbi 3 milionë shqiptarë nesër zgjedhin institucionet e reja

Shqiptarët e Shqipërisë nesër do t’u drejtohen kutive të votimit

Nesër në tërë territorin e Shqipërisë mbahen zgjedhjet parlamentare, ku të drejtë vote kanë 3.452.260 votues me të drejtë vote.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj tha për KosovaPress se Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të gjitha përgatitjet për të gjitha ato që janë në kompetencë të saj.

Sipas Hoxhajt, KQZ sipas kodit zgjedhor të Shqipërisë, ka marrë të gjitha masat që janë në kompetencë të saj që të bëjë gjithçka që procesi i votimit që mbahet nesër, por edhe procesi i numërimit të shkojë si është më së miri.

Në këto zgjedhje që mbahen në ditën e Bajramit të Madh, sipas Hoxhajt garojnë 18 parti për zgjedhjet parlamentare, por njëkohësisht mbahen edhe zgjedhjet për kryetar të bashkisë së Kavajës.

Ajo sqaron se në tërë vendin janë 12 qarqe,  por zona të administrimit zgjedhor janë 90.

Sipas zëdhënës së KQZ-së, nuk pritet që shpejt të dalin me rezultatet preliminare nesër, pasi që sipas Hoxhajt numërimi i votave fillon në momentin kur vjen kutia  e fundit me vota.

Megjithatë sipas saj votat gjatë numërimit dalin në tabelë online në faqen e KQZ-së, por edhe në aplikacionin “Voto 2017”, që mund të shkarkohet në të gjithë smart telefonat dhe kompjuterët.

Qendrat e votimit pritet të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe të mbyllen në orën 19:00./21Media

Back to top button