Mbi 50 mijë aplikime për subvencione në bujqësi, kur do të ekzekutohen mjetet te fermerët

Numri i aplikimeve në të gjitha kulturat dhe aktivitetet bujqësore e blegtorale që mbështeten përmes Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022 ka arritur në 50 mijë e 836 aplikime, me gjithsej 28 mijë e 834 aplikues dhe nëse e krahasojmë me vitin e kaluar janë 3 mijë e 149 aplikues më shumë. Kështu ka bërë të ditur për portalin rtv21.tv Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Numri më i lartë i aplikuesve ishte për kulturën e misrit me 11 mijë e 823 aplikues, pastaj e grurit me 11 mije e 302 aplikues.
“11302 aplikues për kulturën e grurit, 11823 për kulturën e misrit, 453 për kulturën e elbit, 131 për thekër, 875 për tërshërë, 5774 aplikues për lopë qumështore, 1142 aplikues për dele për mbarështim, 259 aplikues për mbështetje për dhi për mbarështim, 138 për dosa për mbarështim, 84 për pula vojse, 3086 për bletë, 4483 në sektorin e pemëtarisë, 7741 për në atë te perimtarisë, 2717 në sektorin e vreshtarisë, 76 për bimë mjekësore dhe aromatike, etj”, thuhet në përgjigjën e MPBZhR-së.
Ministria e Bujqësisë për portalin rtv21.tv ka treguar se nga cilat komuna ka më shumë aplikues për subvencione.
“Numri më i madh i aplikuesve janë nga këto komuna: Rahoveci 2969 aplikues, Podujeva 1882 aplikues, Gjakova 1106 aplikues, Suharekë 1114 aplikues, Prizren 1066 aplikues, Istog 1216 aplikues, Viti 1045 aplikues, Prishtinë 1161 aplikues,Vushtrri 1543 aplikues, Pejë 1549 aplikues, Drenas 1005 aplikues, Skenderaj 1606 aplikues, Lipjan 1417 aplikues, etj”, thuhet tutje në përgjigjen e ministrisë.
Po kur pritet të shqyrtohen aplikimet dhe të ekzekutohen mjetet te fermerët, MBPZhR-së për portalin rtv21.tv ka treguar procedurat.
“Bazuar në procedurat e brendshme administrative, të cilat janë të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2022 për Pagesa Direkte tashmë jemi në fazën e pranimit të aplikacioneve nga Drejtoritë Komunale për Bujqësi. Pas përfundimit të kësaj procedure, fillon kontrolla/vlerësimi administrativ i aplikacioneve e më pastaj kontrollat në terren e të gjitha procedurat tjera të parapara me Udhëzim. Pas përfundimit të këtyre procedurave, bëhet procedimi për ekzekutimin e pagesave për të gjithë aplikuesit që i plotësojnë kriteret dhe dokumentacionin e përcaktuar konform Programit dhe Udhëzimit Administrativ”, ka njoftuar ministria për portalin rtv21.tv.
Ndërkaq, i gjithë procesi i aplikimit sipas Ministrisë është realizuar pa probleme në të gjitha komunat e Kosovës brenda afatit të paraparë me Thirrjen për Aplikim, 26 prill – 25 maj 2022. Ndërkaq, me kërkesë të 11 Drejtorive Komunale për Bujqësi, ky afat ishte shtyrë deri më 1 qershor të këtij viti në të gjithë territorin e Kosovës.
Më herët, fondet e ndara për subvencionim në disa raste edhe janë keqmenaxhuar. Zyra Kombëtare e Auditorit, në auditimin e bërë për vitin 2019, ka nxjerrë në pah mosplotësimin e disa kritereve të kërkuara nga përfituesit e subvencioneve.
Për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfetit, vitin e kaluar, janë arrestuar 32 persona, përfshirë zyrtarë me pozita të ndryshme në Agjencinë Zhvillimore të Bujqësisë dhe Agjencinë e Pyjeve të Kosovës. Të dyja këto agjenci funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural./21Media

Back to top button