Mbi 500 fëmijë me nevoja të veçanta në Prishtinë, vetëm 55 asistentë

Mungesa e asistentëve nëpër shkolla, por edhe mungesa e logopedëve, pedagogëve dhe materialeve adekuate, janë vetëm disa nga problemet me të cilët ballafaqohen fëmijët me nevoja të veçanta në kryeqytet dhe në gjithë Kosovën.
Nevoja për qasjen ndaj këtyre fëmijëve po shihet edhe trajtimi i prindërve dhe mësimdhënësve, por edhe krijimi i një ambienti në klasë, ku gjithëpërfshirja mbizotëron dhe askush nuk diskriminohet.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati pohoi se ka mungesë të kushteve nëpër shkolla për fëmijët më nevoja të veçanta.
Sipas saj, për t’i përballuar kostot e larta për prindërit, janë punësuar 55 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Nuk ka mjaftueshëm kushte për të ofruar për këta fëmijë, dy muaj më parë kemi punësuar 55 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta, të cilët vetëm se kanë filluar të punojnë nëpër shkollat e Prishtinës, fatkeqësisht nuk është numër që mjafton. Këta asistentë i kemi shpërndarë nëpër raste dhe familje që kanë një apo dy fëmijë me nevoja të veçanta dhe i duhet më shumë ndihmë nga ana e komunës që të mund të përballojnë kostot e larta të sigurimit të asistentëve me financim vetanak, por nuk mjaftojnë. Në Prishtinë janë mbi 500 fëmijë që kanë nevoja të shtuar për kujdes, pastaj 55 asistentë nuk mjaftojnë por janë hapi i parë në drejtimin e duhur për të bërë diçka më shumë”, tha ajo.
Gjithashtu, ajo tha se shkollat e Prishtinës janë të qasshme për fëmijët me nevoja të veçanta, ku secila shkollë ka dhoma të veçanta për të ndjerë fëmijët gjithëpërfshirjen dhe trajtimin e njëjtë.
“Deri më tani nuk është që kemi pasur ndonjë raport që thotë që shkollat e Prishtinës nuk janë të qasshme për fëmijët me nevoja të veçanta, gati se secila shkollat kanë një dhomë të veçantë ku fëmijët mund të kalojnë kohë aty edhe pse ne e fuqizojmë konceptin e gjithëpërfshirjes që të mos trajtohen ndryshe por të shkojnë në klasë bashkë me bashkëmoshatarët e tyre dhe mësimin ta zhvillojnë në mënyrë të njëjtë. Ndërsa për çështja e karrocave shumica e shkollave kanë qasje për karrocë por nuk kanë lift, prandaj shumica e klasave për fëmijët që janë në karroca i ofrojnë mësimet në katet e para ku edhe fëmijët mund të qasen me karroce”, foli ajo.
Ndërkaq për fëmijët e prekur nga Sindorma Down, Musmurati tha se janë duke e ndërtuar qendrën për shërbime shtesë për familjet që kanë nevojë për mbështetje, që të munden të krijojnë një ambient në klasë gjithëpërfshirës.
“Jemi duke ndërtuar qendrën e parë për sindromen Doën në komunën e Prishtinës që do të fillojë punën shumë shpejtë dhe aty do të ofrojmë shërbime shtesë për të gjitha familjet që kanë nevojë për mbështetje, duhet të bëjmë më shumë në mënyrë që të rrisim edhe stafin që merren me fëmijë, të rritet numri i mësuesve mbështetës që të mund të ofrojmë më shumë shërbime për të gjithë fëmijët e Prishtinës, jemi në drejtimin e duhur në përgjithësi dhe duhet të bëjmë më shumë trajnime për mësimdhënësit që të dimë se si duhet të qasen dhe si duhet të krijojnë një ambient në klasë ku gjithë përfshirja mbizotëron dhe askush nuk diskriminohet”, përfundoi ajo.
Zëvendësdrejtori i shkollës fillore mesme të ulët “Dardania”, Nehar Shasivari tha se shkolla e tyre jep mundësinë e gjithëpërfshirjes, ku edhe mësuesit janë të trajtuar për fëmijët me nevoja të veçanta. Gjithashtu theksoi se shkolla ka nevojë për materiale adekuate për këta fëmijë.
”Ne këtyre fëmijëve iu kemi jap mundësinë të jenë të gjithëpërfshirës në të gjitha sferat e arsimimit, prej para fillor deri në nivelin e klasës së nëntë…Shkolla mundohet t’ia ofrojë të gjitha mundësitë duke pasur parasysh edhe çështjen e lëvizjes së atyre fëmijëve të jenë në mbikëqyrje pak më të madhe, qoftë prej mësimdhënësve apo mësuesve mbështetëse…. Pothuajse të gjithë mësimdhënësit janë të trajnuar për fëmijët me nevoja të veçanta…. fëmijët të cilët kanë nevojë ta kenë edhe një mësuese mbështetëse të përhershme që ta përcjellin edhe zhvillim e atyre fëmijëve në përgjithësi gjatë shkollimit të tyre… Kur e kemi mundësinë të shpërndajmë së paku nga një nxënës në klasë, mirëpo kur kemi numër më të madh të nxënësve mund të jenë edhe nga dy nxënës në klasë…Ne si shkollë kemi nevojë për materiale adekuate për këta fëmijë të cilat na mungojnë nëpër shkolla”, tha ai.
Kurse, mësuesja mbështetëse Liridone Ukaj, tha se ka pengesa sepse puna me këta fëmijë është më e ndjeshme dhe kërkon një bashkëpunim me akterë të ndryshëm.
“Nganjëherë ka edhe pengesa që ndikojnë që të mos krijohet një gjithë përfshirje e plotë. Numri i nxënësve është një numër shumë i madh brenda klasës e pa mundëson që mësimdhënëset e rregullta të punojnë për shumë kohë më fëmijët me nevoja të veçanta…. Puna jonë është më e ndjeshme dhe kërkon një bashkëpunim të mirë, ne mes akterëve të ndryshëm duke filluar prej atyre që gjenden brenda shkollës, mësimdhënësit, psikologia dhe stafi, mirëpo edhe akterët e jashtëm që është Qendrat Burimore, DKA-ja të cilët duhet të na ndihmojnë për të pasur sukses. Ka qenë një bashkëpunim i mirë me DKA-në ku edhe me Qendrën Burimore Përparimi sepse janë dy komponentë shumë të rëndësishme që e lehtësojnë punën shumë brenda shkollës… DKA-ja gjithmonë na ka ndihmuar me vlerësimin e fëmijëve, vlerësimi i tillë lehtëson shumë punën e mësimdhënësve. Do të donim të kishte më shumë trajnime për prindërit, mësimdhënësit për qasjen ndaj fëmijëve, të ketë më shumë materiale për fëmijët me nevoja të veçanta”, u shpreh ajo.
Sipas Ukaj, duhet punë sepse ka mungesë të logopedëve dhe pedagogëve, të cilët do ta lehtësonin punën e mësimdhënësve dhe fëmijët do të kishin më shumë sukses.
“Duhen shumë punë, ne jemi një shkollë shumë e madhe e cila nuk ka logopedë që do të lehtësonte shumë punën tonë si mësimdhënës më fëmijët të cilat kanë pengesa në të folur, që belbëzojnë, do na ndihmonte nëse do të kishim pedagoge e cila do të na krijonte më shumë mundësi të na ndihmonte rreth planifikimeve të ndryshme… Kemi psikologen mirëpo nuk e kemi me orar të plotë e kemi vetëm tri ditë, do të kishim dashur që të ishte me orar të plotë për shkak se një bashkëpunim i mirë me të lehtëson punën dhe e bënë më të suksesshëm… Në Kosovë janë edhe qendrat burimore të cilat bashkëpunojnë me shkollat e rregullt, vlerësimi i komunës e përcakton se ku duhet të drejtohet fëmija, a është për shkollë të rregullt apo për Qendër Burimore…Pengesat mund të jenë të ndryshme, mund të jenë fëmijë që është autikë, belbëzojnë, fëmijë të cilët kanë hipër aktivitet, mirëpo ne si shkollë nuk i shohin diagnozat e fëmijëve po shohim se sa mundemi t’i mbështesim”, foli ajo.
Sipas MASHTI-t, asistentë personalë duhet të kenë vetëm nxënësit me aftësi të kufizuara të rënda dhe të shumëfishta, të cilët nuk mund të qëndrojnë në klasë pa përkrahje të asistentit.Në Kosovë jetojnë rreth 200 mijë persona me aftësi të kufizuara apo 10 për qind e popullatës së përgjithshme./KP

Back to top button