Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar gati 1 mijë viktima të reja dhe 25 mijë raste të infektimeve brenda 24 orëve të fundit, duke vazhduar që së bashku me Brazilin të mbesin vatra të pandemisë.

Në SHBA numri i të infektuarve po iu afrohet shifrës 2 milionë, teksa të vdekur raportohen mbi 111 mijë persona. Edhe pse infektimet dhe vdekjet e reja vazhdojnë të jenë të larta, protestat në SHBA nuk po ndalen, duke rritur edhe më tej rrezikun e infektimeve massive.

1 mijë e 5 vdekje të reja u regjistruan në Brazil nga Covid-19 brenda 24 orëve të fundit, duke e cuar në mbi 35 mijë e bilancin e jetëve të humbura nga sëmundja atje.

30 mijë e 830 infektime të tjera u shënuar brenda këtij harku kohor, duke bërë që totali i rasteve të prekura nga koronavirusi të shkojë në 645 mijë. Brazili, që e mori lehtë pandeminë, tashmë është vendi I dytë në botë më i goditur prej saj pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Jair Bolsonaro kërcënoi së do ta nxjerrë vendin e tij nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, të cilën e akuzon për “paragjykim ideologjik”.

Kreu i shtetit amerikan, Donald Trump e ka njoftuar më herët tërheqjen e SHBA nga OBSH, përgjigjen e së cilës ndaj krizës së koronavirusit e konsideroi si tepër të pabalancuar në favor të Kinës.

Ministrat e Brendshëm të bllokut evropian vendosën që nga 1 korriku të hapen kufijtë e jashtëm të BE-së.

Kryeministri italian Giuseppe Conte dhe ai spanjoll, Pedor Sanchez kanë kërkuar që hapja të bëhet në mënyrë “ të koordinuar dhe jo diskriminuese”. Turistët gjermanë, francezë dhe zviceranë sipas mediave italiane, janë gati të kthehen në vendin fqinj duke filluar nga 15 qershori.

Në një letër të përbashkët drejtuar KE-së, Italia dhe Spanja theksojnë se është “momenti të riaktivizojmë ekonomitë tona, të rekuperojmë normalitetin e bashkë me të, dhe një element thelbësor të projektit europian sic është liria e lëvizjes në zonën Schengen”, shkruajnë ata.

Italia e Spanja si dy nga vendet më të prekura në botë nga pandemia, po shënojnë një përmirësim të dukshëm të situateës në ditët e fundit. Në Itali u raportuan 85 vdekje e mbi 500 raste të reja të virusit, teksa Spanja raportoi vetëm 1 vdekje, si dhe mbi 300 infektime të reja.

Mbretëria e Bashkuar vazhdon të raportojë shifra të larta të viktimave, mbi 350 për 24 orët e fundit, duke e ngritur numrin e përgjithshëm në 40.260.

Franca ka raportuar 46 viktima për këtë kohë, duke treguar një përmirësim të ndjeshëm në këtë aspekt./21Media