Nga: Thanas L. Gjika

Në trashëgimin nolian publicistika zë vendin më të rëndësishëm për nga sasia dhe vlerat ideoartistike. Në këtë fushë ai derdhi energjitë e tij gjatë gjithë jetës aktive. Këtu u shpreh dhe u përpunua mendimi politik e shoqëror i këtij kolosi të mendimit shqiptar. Po këtu u derdh kontributi kryesor i tij lidhur me përpunimin e gjuhës artistike dhe të gjuhës letrare shqipe. Mirëpo në studimet dhe artikujt e ndryshëm të shkruar deri sot për veprën publicistike të Nolit, mund të themi se problemeve të formës, sidomos atyre të stilit dhe të individualitetit publicistik, nuk u është kushtuar vëmendja e duhur, prandaj menduam që në këtë artikull të bëjmë një përpjekje për të skicuar disa nga tiparet kryesore të stilit dhe të individualitetit krijues të Fan Nolit në fushën e publicistikës.

Si fillim duhet të sqarojrnë se individualiteti publicistik i Nolit, ashtu si dhe individualiteti i çdo krijuesi, varet jo vetern prej talentit të lindur dhe prej prirjeve krijuese, por dhe prej disa tipareve vetjake që burojnë prej botëkuptimit dhe interesave ideore, prej edukatës së marrë në ambientin e tij familjar e shoqëror. Konkretisht në stilin dhe individualitetin e Nolit si publicist, kuptohet dhe si krijues në përgjithësi, ka luajtur rolin e vet dhe jeta në diasporën shqiptare të Edrenesë, të kolonisë shqiptare të Egjiptit dhe të Shteteve Bashkuara të Amerikës, ku nisi dhe u ngjiz formimi i tij. Po ashtu ky individualitet varet edhe prej nivelit kulturor, leximeve dhe përvojës jetësore personale, prej shijeve të tij estetike, etj.

Në shkrimet publicistike të Nolit vemë re se ai është përpjekur, jo vetém t’i komunikojë qartë idetë, por që këto ide t’i komunikojë në një formë sa më tërheqëse dhe emocionuese. Këtë ai e bën duke shprehur me mjeshtëri qëndrimin e vet ideo-emocional përmes figurave ilustrative, arsyetimeve logjike dhe figurave stilistike e sintaksore. Për nga stili dhe individualiteti krijues Fan Noli spikat së bashku me Faik Konicën, i cili në hapat e parë i shërbeu si mësues para çdo gazetari dhe publicisti tjetër në kapërcimin midis shekujve XIX-XX.

Fan Noli u shfaq në gazetarinë shqiptare me shkrime të botuar së pari në gazetën Drita të Shahin Kolonjës, në revistën Albania të Faik Konicës dhe në gazetën Kombi të Sotir Pecit. Që në shkrimet e tij të para ai ra në sy si një gazetar i formuar e me kulturë, në saje të talentit të tij të lindur dhe formimit solid që kishte marrë prej leximeve të shumta në gjuhën greke, të cilën e kishte mësuar me themel në shkollën e mesme të Adrianopolit. Për formimin publicistik të Nolit nuk ka si të mos vemë në dukje dhe ndikimin që ai pati prej leximit plot pasion të koleksionit të revistës Albania të viteve 1897-1906 në shtëpi të Spiro Dines në Egjipt. Vetë Noli e përmend me shumë respekt ndikimin që luajti në formimin e tij kulturor, letrar, kuptohet dhe publicistik, përpirja e shkrimeve të kësaj revista, sa që më vonë shkroi me mburrje: të gjithë ne kemi dalë prej revistës Albania.

Në publicistikën shqiptare të Rilindjes kemi dhe gazetarë që u shfaqën në një mënyrë tjetër. Kështu Mihal Gramenoja do të arrinte nivelet e larta të stilit dhe të individualitetit të tij publicistik për hartimin e artikujve, portreteve, fejtoneve, pamfleteve, etj, jo që në shkrimet e para. Talenti i lindur i Gramenos dhe zgjuarësia natyrale nuk u ndihmua aq nga leximet në greqisht, rumanisht e shqip, por në radhë të parë nga pjesëmarrja aktive në shtypin e kohës për të dhënë ndihmesën e vet në lëvizjen kombëtare duke shkruar shpesh në të gjitha llojet e publicistikës. Ai e arriti nivelin e tij artistik gjatë ushtrimit disavjeçar me durin e këmbëngulje. Gramenoja edhe pse bashkëpunoi në faqet e revistës Albania, nuk e pati rastin që gjatë viteve të mërgimit në Rumani të lexonte numëra të shumtë të kësaj reviste.

Noli u rrit e u formua në ambjente shqiptare që jetonin në një mjedis me ndikime greke, bullgare e turke, gjatë dy dekadave të fundit të shekullit XIX dhe në vitet e para të shek. XX-të, kur idetë nacionale dhe përpjekjet për çlirim kombétar nga zgjedha osmane përbënin themelin e ideologjive sunduese të popujve të Ballkanit. Noli u ngjiz si bir i etnisë shqiptare edhe pse u lind e u rrit në një diasporë të vogël e të izoluar shqiptare pa lidhje të drejtpëdrejta me atdheun mëmë. Ai ia kushtoi gjithë energjitë e veta, talentin dhe zgjuarësinë luftës për çlirimin kombëtar dhe demokratizimin e jetës së popullit shqiptar, që jetonte në atdheun e të parëve të tij.

I pajisur me një guxim të rrallë, ai nuk ngurroi që në fillim të krijimtarisë së tij publicistike të hapte luftë pa kompromis ndaj dy pushteteve më të mëdha të kohës: Portës së Lartë të Stambollit, e cila ndiqte ndaj shqiptarëve një politikë asimiluese për osmanizim dhe ndaj Patrikanës së Stambollit, e cila në kundërshtim me misionin e vet për përhapjen e besimit të krishter dhe dashurisë midis popujve të Perandorisë Osmane pa dallim kombëtar, ndiqte ndaj shqiptarëve ortodoksë një politikë asimiluese, për greqizimin e tyre. Për ta ndërgjegjësuar popullin e vet në luftën që duhej t’i bënte këtyre synimeve asimiluese, Noli i drejtohej lexuesit me pyetjen: Cila është ajo gjë që e bën një komb të rrojë? – dhe përgjigjej – Natyrisht gjuha, veshja, vallet, zakonet, traditat, historia dhe përgjithësisht shpirti dhe gjenia kombëtare, janë ato që e ndajnë nga të tjerët, dhe këto duhen mësuar dhe lëvruar, nëqoftëse një racë (lexo: komb – Th. Gj) s’do të vdesë.

Guximi si tipar i shkrimeve publicistike të Nolit spikat dhe në demaskimin e xhonturqve si forcë politike antishqiptare dhe në sulmet ndaj fuqive ndërluftuese që shkelën Shqipërinë gjatë Luftës së Parë e të Dytë Botërore. Guximi do t’i shquajë shkrimet publicistike të Nolit edhe në luftën e brendshme politike ndaj kundërshtarëve të tij si Ahmet Zogu, etj.

Si njeri me temperament impulsiv dhe mprehtësi naturore, Noli u shqua dhe në kapjen e shpejtë të problemeve, për trajtimin e tyre me zgjuarësi dhe thellësi mendimi.

Stili dhe individualiteti krijues i një publicisti janë tipare me karakter historik. Ato zhvillohen jo vetëm në përputhje me evoluimin botëkuptimor të autorit, por dhe në perputhje me transformimet e mëdha që mund të ndodhin në jetën politike-shoqërore të popullit të tij. Kështu në stilin dhe individualitetin publicistik të Nolit në fillim u shfaqën disa tipare të cilat evoluan në përputhje me ecurinë e pjekurisë botëkuptimore të tij, e cila erdhi si pasojë e njohjes gjithnjë e më të gjerë të jetës dhe e studimeve të tij. Kurse mjaft tipare të tjera u shfaqën dhe evoluan në përputhje me ndryshimet që ndodhën në jetën e popullit shqiptar e të lëvizjes politike-shoqérore të tij. Të tilla ndryshime ndodhën për shembull me fitoren e Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, kur popullit shqiptar iu premtuan shumë të drejta, por ato nuk iu dhané, madje presioni i osmanizimit erdhi duke u forcuar gjë që çoi vetëvetiu në ashpërsimin e kontradiktave midis shqiptarëve e xhonturqve. Të tilla ndryshime në jetën politike të popullit shqiptar sollën ndryshime të tematikës e të problematikës së shkrimeve publicistike të Nolit e si pasojë sollën dhe ndryshime të tipareve të stilit dhe të individualitetit te tij krijues si publicist. Para shpalljes së kushtetutës xhonturke, në shkrimet e Nolit sundonte tematika antigrekomane dhe ajo e mbarëvajtjes dhe e rritjes së lëvizjes çlirimtare, kurse mbas korrikut të vitit 1908, kur po përhapeshin iluzionet ndaj gjoja mundësive të reja që iu krijuan popullit shqiptar për zhvillim, Noli vuri në qendër të shkrimeve të veta kritike përhapesit e këtyre iluzioneve dhe ata që u gënjyen e që u tërhoqën nga lufta politike. Në këto shkrime ai mprehu luftën kundër oportunizmit, thelloi frymën e papajtueshmërisë dhe zgjeroi rrethin e forcave kundërshtare që sulmoi. Përveç kryeartikujve, artikujve. shënimeve e pamfleteve të lëvruara deri në atë kohë, ai nisi të hartonte pas korrikut 1908 dhe lloje të reja si fejtone, portrete e skica, të cilat kërkuan që ai të përdorte figura dhe mjete të tjera stilore.

Ndryshime edhe më të mëdha të tipareve individuale, që buronin nga ndryshime të rëndësishme politiko-shoqërore të jetës, ndodhën në krijimtarinë publicistike të Nolit, edhe të publicistëve të tjerë, që vijuan të krijonin edhe mbas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitet 1913-1924 e sidomos mbas dështimit të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit 1924.

Duke qenë publicist me talent të spikatur, me kulturë të gjerë e të shumanshme, Noli ra në sy për gjuhën e përpunuar e të rrjedhëshme, për përdorimin e dendur të figurave dhe mjeteve artistike në shkrimet e veta. Ai e kërkonte dhe e gjente në rrugë të ndryshme detajin që i duhej për të zbuluar thelbin e ngjarjes a të dukurisë që pasqyronte, ose për të zbuluar karakterin e personalitetit historik, të cilin e vinte në qendër të shkrimit.

Detajet e nevojshme, ashtu si veprohet shpesh në publicistikë, Noli i merrte të gatshme nga vetë objekti që pasqyronte, por shpesh here, dhe shumë më dendur se publicistët e tjerë, ai krijonte figura stilistike e sintaksore mbi bazën e fantazisë së tij krijuese. Gjithashtu ai jo rrallë i drejtohej bagazhit të vet kulturor ku huazonte herë fraza e sentenca nga letersia e lashtë greko-romake, herë vargje nga poetë si Dante Aligeri, Shekspiri, si dhe nga letërsia bashkëkohore evropiane dhe ajo amerikane Një oazë tjetër e pasur ku furnizohej Noli me figura, me parabola e fjalë të urta ka qenë edhe Bibla, të cilën, si bir psallti, e pati lexuar që në rininë e hershme në greqisht e pastaj edhe në shqip përkthyer (pjesën Dhiata e Re) prej Kostandin Kristoforidhit. Më vonë puna priftërore e lidhi edhe më shumë me studimin e librave të shenjtë, gjë që shpuri në përdorimin edhe më të dendur të figurave biblike në krijimet e tij publicistike dhe ato poetike.

Sa më shumë u lidh Noli me lëvizjen kombëtare në vitet 1908-1912, aq më shumë ai njohu historinë tonë kombëtare, aq më shumë ai iu drejtua ngjarjeve të popullit tonë dhe krijimtarisë gojore të popullit shqiptar për të huazuar prej andej figura historike, mitologjike, simbole, shprehje e fjalë të urta të popullit tonë.

Pasi ke lexuar disa nga shkrimet publicistike të Nolit familjarizohesh me stilin e tij polemik, me mënyrën e tij si i krijon figurat letrare me të cilat ai sulmon kundërshtarët dhe ke mundësi të përcaktosh shkrime që janë shkruar prej tij edhe pa parë emrin e autorit. Një gjë e tillë ndodh edhe pasi je familjarizuar me disa shkrime publicistike të Faik Konicës, i cili gjithashtu dallohet për stilin e tij polemik therrës në artikuj e skica satirike. Edhe shkrimet e Mihal Gramenos, sidomos shkrimet publicistike letrare si fejtonet, portretet e pamfletet e tij, dallohen kollaj mbasi edhe ky gazetar ka një individualitet dhe stil të vetin për shpotitjet e ironitë mbushur me turqizma për të karakterizuar nëpunësit anadollakë të qeverisë së Ismail Qemalit, të cilëve u ngjiti epitetin honxho bonxho. Po ashtu dallohen fejtonet dhe pamfletet e Gramenos ku ai karakterizon me tallje nëpunës dhe politikanë shqiptarë të viteve 1920-1924 përmes një fjalori të mbushur me italianizma, të cilëve ai u ngjiti epitetin e ri xhongo rokë.

Për ta bërë më konkret stilin dhe individualitetin e Nolit gjatë Rilindjes po sjellim këtu një fragment nga një shkrim ironik i tij, shkruar pasi u prit ftohtë prej disa mërgimtarëve shqiptarë në rrethet e Bostonit, ku kishte shkuar në emër të gazetës Kombi për të mbledhur ndihma e abonime:

Kur hynja në ndonjë konak, i shikoja të tërë të mblidhen e të ngulen njëri pranë tjetrit sikur hyri ndonjë armik që e pandehnin të vrarë e të varrosur, pa shpresë që të ngjaIleshe më, dhe me çudi pyeteshin me isharete (shënja-Th.Gj.) se mos shëkojnë ëndärra.

-Vërtet ëndërr shëkoni, u thosha, se ajo që e pandehnit të vdekur u ngjall e u ngrit nga varri si nuse dhe thëret djemtë e saj si zogjtë: Mjaft fjetmë se arriu koha! Ngrehuni nga gjumi i thellë që ju ka pllakosur!

-Ke te drejté më thoshin ata, duhet të sqohemi, dhe ktheheshin nga tjetra anë dhe mbuloheshin me dy jorganë.

Forcën e shprehjes stili i veçantë nolian e arrin këtu përmes ndërtimit të një kontrasti midis emigrantëve që vegjetonin dhe kërkesave për gjallërim që u drejton autori përmes figurës së nënës Shqipëri bashkë me ritmin që ai krijon nga dialogjet thumbuese midis tij dhe emigrantëve indiferentë.

Të tjera mjete e figura ka përdorur Noli në vitet 1923-1924 gjatë pjesëmarrjes së tij në lëvizjen demokratrike të kohës. Ja si shkruan ai në artikullin me karakter panagjirik e nekrologjik Avni fli i qeté! të cilin e lexoi përmbi varrin e dëshmorit të parë të lëvizjes demokratike shqiptare të vitit 1924:

Nuk duhet të flejmë gjersa të gjenden dhe të dënohen fajtorët e kësaj vrasjeje. – I drejtohej ai popullit, e vijonte – Duhet t’i ndjekim vrasësit nga shpella në shpellë, nga përroi në përrua, nga bregu në breg, gjersa t’i kapim dhe atëhere t’i bërtasim këtij dëshmori:

-Avni, i zumë, fli i qetë, se tani Shqipëria nuk është më nën terrorin e bashibozukëve antikombëtare, se tani Shqipéria është në udhë të mirë, në udhën e lirisë!

Këtu Noli përdor thirrjet e nxehta drejtuar pjesëmarrësve në varrim për të ngulitur në mendjet e tyre procesin e ndjekjes së vrasësve të mikut të tyre. Ai përpiqet t’i emocionojë dëgjuesit me anën e përsëritjes së fjalëve shpellë, përrua, breg të cilat krijojnë idenë e ndjekjes konkrete për kapjen e bashibozukëve, çka përbënte realizimin e qëllimit për shpëtimin e Shqipërisë. Mëshimi tek ideja e shpëtimit për futjen e atdheut në udhën e mirë, në udhën e lirisë, kryehet përmes përsëritjes së fjalës udhë e cila kuptimisht ka lidhje me lëvizjen, ecjen drejt lirisë.

Thirrja për kapjen dhe eleminimin e vrasësve të Avni Rustemit që mendohej se do të sillte shpëtimin e atdheut, ishte thirrja që u pësërit dhe në fjalime të tjera të asaj dite, ishte kushtrimi që ndezi situatën revolucionare dhe i mobilizoi dëgjuesit të marrshonin drejt Tiranës, ku u vendos fati i fitores së asaj lëvizjeje që u quajt Revolucioni Demokratik Borgjez i Qershorit 1924.

Shkolla noliane në publicistikën shqiptare

Fan Noli, si një atdhetar i lindur dhe i formuar në diasporë larg atdheut dhe si veprimtar politik që luftoi me penë në vijën e parë të luftës ideologjike për çlirimin kombëtar dhe shoqëror të aShqipërisë, ka raste që dhe ka gabuar, sepse si ka thënë vetë: ata që kanë luftuar në vijën e parë të zjarrit, dhe kanë çarë një udhë të re, kanë medeomos lajthime. Sepse – shton ai – nga lajthimet munt të shpëtojnë vetëm ata që rrijnë jashtë zjarrit dhe bëjnë sehir. Pra, Nolin mund ta kritikojmë në ndonjë rast për ato çka ka thënë, por nuk mund ta kritikojmë për mënyrën se si i ka thënë gjërat, për stilin me të cilin i formuloi mendimet, arsyetimet dhe interpretimet e veta, sepse këtu ky mjeshtër i gjuhës shqipe, ashtu si Konica, ka qenë i pakorrigjueshëm dhe gjithmonë mësues për lexuesit dhe veprimtarët e kohës së vet. Ai meriton të jetë mësues dhe për lexuesit e veprimtarët e kohës sonë, si dhe për ata që do ta lexojnë në të ardhmen e do t’i kushtohen luftës për të mirën e atdheut.

Fan Noli ishte nga ata nxënës, të cilët me punën e tyre e arrijnë mësuesin e vet dhe për disa aspekte e kalojnë atë. Kështu mund të themi se ai e arriti Konicën, mësuesin e tij dhe në disa fusha, si në atë të krimtarisë poetike, të përkthimit letrar dhe të studimeve historike e kaloi atë. Stili publicistik i Nolit është i përmbajtur në drejtim të përdorimit të sharjeve dhe fyerjeve, si shpesh herë e tepronte Konica. Ligjërimi publicistik i Nolit ka shpesh herë më shumë figura letrare e mjete shprehëse, se ligjërimi i mësuesit të tij, sepse ai shquhej për shpirtin e tij poetik, ku përdoren më shpesh firurat letrae artistike, kurse Konica i cili u shqua për shpirtin e tij kritik polemik, ku përdoren më shpesh figura të sintaksit poetik.

Shkrimet publicistike të Nolit, ashtu si shkrimet e tij letrare kanë qenë e janë një shkollë e shëndoshë për përvehtësimin se si duhen ndërtuar artikujt problemorë, polemikat, dialogjet, komentet e llojet e ndryshme të publicistikës. Ato kanë qenë një shkollë për stërvitjen e brezave të rinj në përdorimin e gjuhës letrare dhe artistike shqipe, ashtu si kanë qenë veprat e klasikëve të vertetë të gazetarisë dhe të letërësisë europiane.

 

(Variant i korrigjuar në krahasim me atë që u botua në gazetën Rilindja, Tiranës, 12 shkurt, 1994, f. 9)