Opozita e kushtëzon votimin në Kuvend me çështjen e mjeteve vetanake të komunave

(Lajm i përditësuar)

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, ka përplasur pushtetin me opozitën.

Vlora Dumoshi e LDK-së ka thënë se grupi ka marrë vendim politik “për të mos marrë pjesë në votim derisa ministri i Financave t’i zhbllokojë mjetet vetanake të Komunave”.Arben Gashi ka thënë se ministri Hekuran Murati ka dashur t’ua marrë komunave të hyrat.

Kryetarja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se barrikadimi që bllokon seancën nuk i bën nder askujt. Ajo i ka bërë thirrje LDK-së që ta bëjë një amandament për ta zhbllokuar punën.

Gashi ndërkohë ka shtuar se ligjin nuk po do që ta zbatojë ministri, duke i bërë thirrje që ta sjellë në Kuvend për ndryshim.
Ministri Murati ka thënë nga ana tjetër se opozita po kërkon diçka që nuk shkruan në ligj.

 

​Deklarata për Personat e Zhdukur, zyrtarë qeveritarë përplasen me deputetë opozitarë

Nënshkrimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur më 2 maj në Bruksel është bërë temë debati në seancën e sotme (e enjte) të Kuvendit të Kosovës. Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se përmes kësaj deklarate, Serbia pranon për herë të parë krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë, mirëpo deputetët opozitarë kritikuan kryeministrin Kurti se ka gabuar ku ka pranuar të largohet termi “persona të zhdukur me dhunë”, i cili sipas tyre njihet edhe në konventat ndërkombëtare.

Por, zëvendëskryeministri, njëherësh kryenegociator i dialogut me Serbinë, Besnik Bislimi tha se ka dokumente të Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut që i referohen termit “persona të zhdukur me forcë”, siç figuron në deklaratën e nënshkruar.

Madje, Bislimi paraqiti një dokument që sipas tij është dakorduar në vitin 2020 nga Qeveria Hoti, që sipas tij, ka zero brengë për personat e zhdukur.

Përkitazi me këtë, ai tha se s’ka asnjë barazim në krime në Deklaratën për Personat e Zhdukur.

“Kjo është deklarata që është dakorduar në Bruksel me 7 shtator 2020 nga ish-kryeministri Hoti. Kjo deklaratë i ka vetëm shtatë fjali, gjashtë prej tyre tregojnë se kush do të jetë kryesues i komisionit, si do të bëhet ai dhe kur do të kryhet puna. Pra ka zero brengë dhe sqarime për atë se sa është i rëndësishëm gjetja e personave të zhdukur. Ka edhe titullin ‘persona të pagjetur’. Këtu thuhet se me çështjen e të pagjeturve do të merremi 1 vit pasi të kemi marrëveshjen finale me Serbinë. Njëherë marrëveshja finale me Serbinë, pastaj do të merremi me këtë temë, pra zero urgjencë në trajtimin e kësaj çështje. Me 8 shtator 2020 i kemi deklaratat e zotëri Selmanaj i cili thotë se kjo temë është konsumuar dhe ezauruar. Kjo është brenga e deputetëve të LDK-së për temën e të pagjeturve. Deklarata që ne jemi dakorduar më 2 maj 2023 e ka titullin deklarata e kryeministrit Albin Kurti. Më tregoni nga data e fillimit të negociatave në Bruksel në vitin 2011 deri në këtë dokument kur një udhëheqësi të Kosovës i është referuar me titullin kryeministër apo president. Ju po thoni keni gabuar se keni hequr termin persona të zhdukur me dhunë, tregoni kur e keni futur ju në dokument që ne e kemi larguar. Këtu thotë ‘forcibly disappeared persons’, unë mund t’iu gjej dokumente të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriu që i referohet personave të zhdukur me dhunë apo ‘forcibly disappeared persons’ në kuadër të drejtësisë ndërkombëtare. Është mirë vetëm të identifikoni një fjali këtu që vendos barazi në krime, personat e zhdukur nuk janë kategori e re, dihet me emra dhe mbiemra kush janë zhdukur. Është idiotësi me thënë se po barazohen krimet”, tha Bislimi.

Të kundërtën e kësaj e tha deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili theksoi se nënshkrimi i deklaratës ku hiqet termi “persona të zhdukur me dhunë” është gabim historik dhe kombëtar i Kosovës.

Ndërkaq, shtoi se Qeveria Hoti e ka pasur top prioritet çështjen e personave të zhdukur.

“Ne jemi kujdesur shumë që as mos të amnistojmë shtetin e Serbisë, as mos të barazojmë institucionalisht argumentet dhe faktet. Sigurisht jemi kujdes në fund që palët të kenë të drejtë të kërkojnë kompensim. Unë jam i bindur se ka gabuar rëndë Qeveria e Kosovës që ka pranuar që zhdukja me dhunë të hiqet nga dokumenti. Zhdukja me dhunë sipas konventës së OKB-së, neni 2 i saj flet qartazi se zhdukjen me dhunë e bëjnë agjentë shtetërorë në mënyrë të organizuar… Kjo është gabim historik dhe kombëtar që i është bërë shtetit të Kosovës. Referenca se Kosova paska dokumente edhe para vitit 2008 është gabim, gabim i madh, pasi Kosova s’ka asnjë dokument”, tha ai.

Në debat u përfshi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se përmes nënshkrimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, Serbia pranon për herë të parë krimet e bëra në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Ajo përmendi edhe disa deklarata të ish-eksponentëve të PDK-së që sipas saj kërkonin të amnistoheshin gjitha krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë.

“Nënshkrimi i Deklaratës për të Zhdukurit e bën Serbinë përgjegjëse për krimet e zhdukjes me forcë të qytetarëve tanë. Për herë të parë përmes një dokumenti zyrtar Serbia pranon krimin e bërë dhe obligohet që të jap informacione për varrezat masive ku ende i mban qytetarët tanë. Po ashtu obligohet që mos t’i pengojë gërmimet siç ka ndodhur në vazhdimësi. Pra me atë deklaratë, Serbia pranon krimet shtetërore mbi popullin e Kosovës dhe qytetarët tanë. Për mua është e papranueshme që një deputet i Kuvendit të Kosovës thotë se Serbinë nuk e obligon ky dokument. Kjo është e papranueshme, pasi kjo është ajo çka Serbia dëshiron të dëgjojë… Ka pasur përpjekje nga qeveritë e kaluara, kur ato janë udhëhequr nga njerëzit e PDK-së që të amnistohen krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, në reagimin e saj deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, u shpreh e habitur me këto deklarata të ministres Haxhiu. Ajo insistoi se termin “të zhdukur me forcë” nuk njihet në konventat ndërkombëtare.

“Për besë habitem me çfarë komoditeti del dhe flisni këtu. Më gjeni në ndonjë dokument ndërkombëtar të drejtësisë dhe konventave ndërkombëtare që merren me çështjen dhe mbrojtjen e personave të zhdukur me dhunë, termin ‘forcibly disappeared persons’. Më gjej dhe më thuaj”, tha deputetja Hoxha.

Në debat u inkuadrua edhe deputeti tjetër i LDK-së, Kujtim Shala, i cili paraqiti argumentet e tij se pse në Deklaratën për Personat e Zhdukur, Kosova barazohet me Serbinë për këtë çështje.

“Nëse shihni tekstin e deklaratës, pas kokës së saj që e bënë preambulën ka një formulim të tillë ‘Angazhohemi së bashku’. Pra kemi të bëjmë me dy palë të cilat marrin përsipër gjithçka që përmbajnë deklarata. Aq sa merr përsipër Serbia, merr përsipër edhe Kosova për të njëjtën çështje. Ky është barazim, kaq”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 2 maj në Bruksel kanë nënshkruar Deklaratën për Personat e Zhdukur

Deklarata për të Zhdukurit, Selimi përplaset me opozitën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se deklarata e dakorduar në Bruksel për çështjen e të të pagjeturve më 7 shtator 2020 nga ish-kryeministri Avdullah Hoti ka zero brengë dhe skjarime se sa i rëndësishëm është problemi i personave të të pagjetur

Bislimi në Kuvendin e Kosovës tha se deklaratën vitit 2020 thuhet se do të merren me trajtimin e personave të të pagjeturve pasi të kishim marrëveshjen finale me Serbinë.

Zëvendëskryeministri tha se deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë më 8 shtator të atij viti se tema e të të pagjeturve është ezauruar dhe konsumuar.


“Kjo është deklarata që është dakorduar në Bruksel më 7 shtator 2020 nga ish Kryeministri Hoti, ka zero brengë dhe skjarime se sa i rëndësishëm është problemi i personave të të pagjetur. Këtu thuhet që me çështjen e të të pagjeturve do të merremi një vit pasi ta kemi marrëveshjen finale me Serbinë, zero urgjencë në trajtimin e personave të të pagjetur. Me 8 shtator kemi deklaratën e z.Selmanaj ku thotë kjo temë është ezaurur dhe konsumuar”, tha Bislimi.

“Deklarata që ne kemi dakordu e ka titullin deklarata e Kryeministrit Kurti. Ju po thoni që keni gabuar që e keni hequr termin persona te zhdukur me dhune, po ju kur e keni bere këte, a keni fut ju këtë term. Është idiotësi të thuhet se po barazohen krimet”, shtoi ai.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se është e tmerrshme se si një person i tillë na përfaqëson në Bruksel, dhe se sipas tij atje u relativizuar agresori me viktimën.

Haxhiu: Ka pasur përpjekje nga njerëzit e PDK-së, të amnistohen krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë

Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiuka  gjatë seancës së sotme të Kuvendit i ka replikuar ndaj  deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, duke thënë se partia ku ajo bën pjesë  ka bërë përpjekje që t’i amnistojë politikisht krimet që i ka kryer Serbia në Kosovë.

“Për herë të parë, çështja e të zhdukurve po trajtohet me prioritet nga Qeveria. Nënshkrimi i Deklaratës për të Zhdukurit e bën Serbinë përgjegjëse për krimin e zhdukjes me forcë të qytetarëve tanë. Për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar, Serbia pranon krimin e bërë dhe obligohet që të japë informacione për varrezat masive. Obligohet të mos pengojë gërmimet, siç ka ndodhur në vazhdimësi. Me atë deklaratë, Serbia pranon krimet shtetërore mbi popullin e Kosovës. Është e papranueshme që një deputete e Kuvendit thotë që Serbia nuk e obligon, pasi kjo është ajo që Serbia do që të dëgjojë. Është e papranueshme të mos njihet kontributi i Qeverisë për adresimin e krimeve të luftës. Ka pasur përpjekje nga qeveritë e kaluara, nga njerëzit e PDK-së, të amnistohen krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë”, ka thënë

Haxhiu më pas ka lëshuar një deklaratë të ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuqi, i cili flet rreth amnistimit të krimeve të luftës.

“Këtë qasje e ka ndjek PDK-ja, këtë qasje e ka ndjek edhe Hashim Thaçi. Po të mos ishte adresuar nga mediat dhe opozita e asaj kohe, ka pasur përpjekje për amnistimin e krimeve. Juridikisht s’mundet, por politikisht ka pasur përpjekje. Prandaj Serbia është amnistuar në kohën që ju keni qeverisur. Ju lutem mos flisni gjëra që as vetë si besoni. Serbia është shfajësuar në kohën kur keni qeverisur ju”, ka thënë Haxhiu.

Eliza Hoxha ka thënë se çuditet me komoditetin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu derisa flet.

“Ma gjej diku në Konventa ndërkombëtare që gjendet diku termi ‘forcibly disappeared’. Po ta rikujtoj që Organizata ‘Integra’ ka nisur iniciativën për drejtësi tranzicionale në kohën e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe presidentja Osmani nuk është marrë me të. Tash po merreni ju”, ka thënë ajo.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se si parti janë kujdesur shumë që të mos e amnistojnë Serbinë e as të mos i barazojnë institucionet.

​Çuni: Zyrtarët e lartë shtetërorë e kanë etiketuar Blerim Isufajn si shantazhues

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni ka thënë sot se prokurori Blerim Isufaj nga zyrtarë të lartë shtetëror është cilësuar si i padenjë. Sipas tij, kjo dukuri është e pamoralshme dhe me qëllim të keq.

Në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, Çuni ka theksuar se Isufaj është etiketuar si shantazhues deri në përmasat e një monstrumi anti-shtetëror.

“Sot dua të flas për një dukuri që për mua është e pakuptueshme, e pamoralshme dhe qëllim keq. Fjala është për përfoljen deri në demonizim të personaliteteve, zyrtarëve institucionalë, të cilët gjatë ushtrimit të funksionit dhe detyrës së tyre ligjore, kinse prekin interesat e ndonjë partive politike apo organizimi kriminal. Këtu në Kuvend, në debate dhe intervista nga zyrtarët e lartë shtetërorë, të mbështetur edhe nga analistët lojalë të partisë në pushtet, është përfolur prokurori i shtetit, Blerim Isufaj, duke e cilësuar atë si të padenjë për detyrën, të cilën ai e ushtron. Ai përkundër mandatit të tij dhe autorizimeve ligjore u përfol dhe u etiketua si shantazhues, sabotues, idhnak e tekanjoz, i kapur për bishti deri tek përmasat e një monstrumi anti-kombëtar e anti-shtetëror”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Tutje, Çuni është shprehur se kur cilësimet e tilla bëhen nga zyrtarët e lartë shtetërorë, ato bëhen të besueshme për një numër të madh të qytetarëve.

Për Isufajn ai ka thënë se ka kontribuar për luftë çlirimtare e më pas edhe për luftimin e kriminelëve.

Haradinaj i bën thirrje Qeverisë t’i rrisë pagat në sektorin publik

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria  që të rrisë buxhetin e paraparë për pagat, për të gjithë sektorin publik dhe jo vetëm për një kategori.

“Jemi në fillim të majit e zakonisht në qershor përgatitet rishikimi i buxhetit. Pra kemi kohë të mjaftueshme për të gjetur zgjidhje për çështje të ndryshme. Në këtë vit dinamika është e njëjtë, i vetmi zhvillim i mirë deri sot janë mallrat dhe shërbimet, pra është rritur luksi pushtetar. Qeveria ka kohë që ua ka hequr rrezikshmërinë Policisë së Kosovës. Logjika e tillë është e pakuptimtë. Deri në qershor kërkoj nga qeveria që të bëjë një plan qe buxhetin e paraparë për pagat. Pra, për të gjithë sektorin publik, jo vetëm për një kategori. Mos lejoni që buxheti të mos implementohet e pagat të mos rriten. Nëse nuk rriten pagat deri më një janar do të mbani përgjegjësi”,  tha ai.

Hoxha: Kurti duhet t’u kërkojë falje familjeve të të pagjeturve

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha së seancën e sotme të Kuvendit tha se kryeministri , Albin Kuri duhet të iu kërkojë falje familjarëve të të pagjeturve për dy mashtrimet që pretendon se i ka bërë, me miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të martën në Bruksel.

“Besoj të gjithi që vini në seancë kaloni në korridorin që sjell rrëfime për të pagjeturit. Uroj që i keni lexuar fragmentet e shkurtra në mure për ndjenjën e familjarëve. Më 2 maj, në Bruksel rrëfimi i tyre është rrokullisur, dhimbja e tyre është baraspeshuar, duke e lënë në ndërgjegjen e kryeministrit i cili e ka instrumentalizuar çështjen e të pagjeturve. Sot kam zgjedhur të jem zëri i tyre dhe uroj këto minuta të na mjaftojnë për të dëgjuar diçka për dhimbjen dhe pritjen mbi 20-vjeçare të familjarëve. Sot do të doja kryeministri të ishte këtu dhe t’u kërkonte falje të pagjeturve”,  tha ajo në seancën

U përjashtua nga Grupi Parlamentar i VV-së, Abazi ulet afër deputetëve të AAK-së

Pas përjashtimit të Haki Abazit nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ai në seancën e sotme të Kuvendit ka ndërruar ulëse.

Abazi është parë i ulur vetëm , në krahun e opozitës LDK- së dhe AAK-së.
Kryetarja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila të mërkurën në emisionin debatues “Click” në RTV21 tha se me Abazin i kanë ndarë rrugët muaj më parë. Por, përjashtimi i tij u formalizua “rrjedhshëm e natyrshëm” këtë të martë.

“Ka muaj që nuk ka komunikim me z. Abazi ka filluar prej qëndrimeve e pastaj komunikatave, fyerjeve, ofendimeve e kështu me radhë. Ai bile pas dakordimit në parim në Ohër të kryeministrit ka bërë edhe deklarim publik që ka ndarë rrugët me VV-në apo kryeministrin Kurti, më vonë është kthy dhe ka qëndruar brenda grupit, por pa funksion”, tha Kusari-Lila.

Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare

Kuvendi i Kosovës sot mban seancë të re plenare. Sipas njoftimit seanca do fillojë në ora 10:00.

Në mesin e 11 pikave, në seancën e sotme do të shqyrtohet në parim Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

Këto janë pikat e rendit të ditës që pritet të diskutohen sot:
  1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
  2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
  3. Pyetjet parlamentare,
  4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
  5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,
  6. Shqyrtimi i parë i Projektligji nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/l-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172,
  7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme,
  8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,
  9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
  10. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/136, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë,
  11. Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.
Back to top button