Kuvendi i Kosovës sot ka paraparë vazhdimin e dy seancave dhe një të reje.

Sipas rendit të ditës, në orën 10:30 do të vazhdojnë seancat e papërfunduara.

Fillimisht do të dillojnë punët me seancën e 11 qershorit që u vazhdua më 23 qershor e 9 korrik, ku do të hedhen për votim projektligjet për ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare.

-Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar,

-Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,

-Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

-Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,

-Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Më pas do të vazhdojë seanca e nisur më 13 korrik dhe e vazhduar më 14, ku do të hedhen për votim rezolutat e VV-së dhe PDK-së për menaxhimin e pandemisë.

-Votimi i Propozim-rezolutës të parashtruar nga Grupi Parlamentar i LVV-së lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19,

-Votimi i rekomandimeve të propozuara nga Grupi Parlamentar i PDK-së lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Në seancën e re, nga ora 11:00 do të diskutohet edhe për gjendjen financiare në Telekom dhe për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës./21Media