Policia doli me detaje mbi arrestimet e djeshme nëpër Kumanovë dhe Shkup. Nga Minsitria për Punë të Brendshme thanë se janë arrestuar tetë persona, të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi terrorist.

Nga informacionet e MPB-së thuhet se personi B.A. nga Kumanova ka krijuar grup terrorist ku kanë marrë pjesë edhe tashmë të arrestuarit, nën ideologjinë e grupit terrorist ISIS për të kryer vrasje dhe shkatërruar ndërtesa publike me synimin për të krijuar ndjenjë pasigurie tek qytetarët.

“Për të arritur këtë qëllim, anëtarët e grupit ndërmorën disa veprime përgatitore, siguruan burime financiare, armë, municion, pajisje ushtarake, si dhe kanë realizuar prova me pajisjet shpërthyese të improvizuara. Anëtarët e grupit terrorist për komunikim me njëri-tjetrin kryesisht kanë përdorur platformën “Whats App” ku ndër të tjera janë dakorduar për mënyrën e transportimit të armëve dhe mënyrën e ndërtimit të rripave vetëvrasës.” – deklaroi Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.

Në videon e aksionit të bastisjes që Ministria e Brendshme dërgoi për mediat, vërehen vetëm disa telefona celularë dhe jo armë dhe pajisje për të cilat deklaroi zëdhënësi i MPB-së.

Ndërsa, sot familjarët e disa prej të arrestuarve shkuan në Gjykatën Penale në Shkup. Selver Gashi, vëllau i njërit prej të arrestuarve tha se vëllai i tij është i pafajshëm dhe se në shtëpi nuk kanë gjetur as armë e as municion që dëshmon se janë terroristë.

“As armë në të zezë nuk kemi, as municion …asnjë gjilpërë nuk është gjetur…” – tha familjari, Selver Gashi.

Ai shtoi se policia gjatë bastisjes ka përdorur dhunë dhe nuk ju kanë treguar as lejen e gjykatës për bastisje.

“Janë të rrahur 8 persona fizikish dhe psiqkisht. Duan ti akuzojnë për terrorizëm radikal islamist.” – tha familjari, Selver Gashi.

Edhe vëllai i njërit prej të arrestuarve tjerë, Muhamed Fejzullahu u shpreh se vëllai i tij është i pafajshëm. Ata nuk kërkojnë asgjë tjetër pos drejtësisë.

“Në fillim kanë hyrë të xhaxhai im kanë menduar se është shtëpia jonë, e kanë thyer me derë e gjithçka përreth. Kanë frikësuar familjarët mandej kanë ardhur tek ne në shtëpi dhe nuk kanë gjetur asnjë gjë, madje as një thikë që këta mendojnë se është për terrorizëm, as atë nuk e kanë gjetur. As një gjilpërë se kanë gjetur tek ne. “ – deklaroi Muhamed Fejzullahu, familjar.

Mes tjerash ata thanë se familjarët e tyre janë rrahur për të pranuar fajin se janë anëtarë të organizatës ISIS. Nga MPB thanë se për akuza të tilla as nga ana e të akuzuarve e as nga avokatët e tyre nuk është regjistruar ankesa  për dhunë.

Tetë të arrestuarit e ditës së djeshme kanë lidhje me 3 të arrestuarit e tjerë që ishin kapur në Kumanovë në muajin gusht për veprën e njëjtë, terrorizëm. Ndërkohë, sipas MPB-së njëri prej të akuzuarve B.F. ka marrë pjesë në formacione paraushtarake jashtë territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si anëtar i organizatës terroriste ISIS në Siri. Njëri prej familajrëve të të arrestuarve theksoi se vëllai i tij para dy vjetësh ka vuajtur dënimin prej dy vjetësh, për shkak se kishte tentuar të shkojë në luftërat e lindjes së mesme, ndërsa tani tha se për atë gjë është penduar, raporton TV21./21Media