Mbyllet 90 minutëshi i zjarrtë në “Old Trafford” ndërmjet Man. Unitedit dhe Evertonit
6 Shkurt 2021
Ka përfunduar ndeshja spektakolare e Premier Ligës angleze ndërmjet Manchester United dhe Evertonit ku u realizuan hiq më pak se gjashtë gola.
Ndeshja filloi me ritëm të lartë që në minutat e parë të saj. Ishte skuadra vendase e drejtuar nga trajneri Ole Solskjaer ajo e cila e gjeti golin e avantazhit në minutën e 24’ të ndeshjes kur realizoi Edinson Cavani.
Pak para se skuadrat të shkonin në pushim, Bruno Fernandez realizoi një supergol për ta thelluar epërsinë e “Djajve të Kuq” në 2-0.
Me të filluar pjesa e dytë, Evertoni u shfaq i frikshëm në fushë dhe arriti që ta barazojë rezultatin duke realizuar dy gola brenda tre minutave përmes Doucoure (49’) dhe James Rodriguez (52’).
Por, United nuk u pajtua me këtë rezultat dhe kur po zhvillohej minuta e 70’ mesfushori McTominay shënoi me kokë pas krosimit nga Luke Shaw për rezultatin 3-2.
Kur po mendohej se skuadra e Solskajer po merrte një fitore të madhe, në skenë doli Calvert-Lewin i cili realizoi në sekondat e fundit për ta barazuar rezultatin në 3-3
Pas 23 ndeshjeve të zhvilluara, Manchester United mban vendin e dytë me 45 pikë, aq sa ka edhe Manchester City në vendin e parë.
Evertoni nga ana tjetër i ka mbledhur 37 pikë dhe është në vendin e gjashtë.