Ish-Ministri i Shëndetësisë,së Maqedonisë së Veriut, tani në postin e zëvendëskryeministrit, Bujar Osmani në Facebook ka njoftuar se Prokuroria Publike e ka mbyllur hetimin për lëndën “Pacienti”, duke vlerësuar nuk është bërë asnjë punë e paligjshme nga Osmani kur ushtronte postin e ministrit.

E vërteta më në fund arriti te drejtësia! Të gjitha spekulimet dhe akuzat e rreme ndaj meje lidhur me rastin “Pacient” kanë përfunduar. Siç kam argumentuar vazhdimisht, pas shqyrtimit të të gjitha provave të dorëzuara, Prokuroria Publike e mbylli hetimin dhe vlerësoi se nuk kishte asgjë të paligjshme në punën time” ka shkruar Osmani, duke falenderuar të gjithë ata që e besuan dhe ishin durimin për të lënë kohë që të dëshmohet se ai ka pasur të drejtë.

Në tetor të vitin 2018 Prokuroria Speciale Publike pati hapur gjashtë lëndë të reja hetimi për krim dhe korrupsion ku të dyshuar ishin ish zyrtarë të partisë VMRO-DPMNE, e mes tyre edhe zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani. Në hetimin me emrin “Pacienti” sipas PSP-së, ekzistonte dyshim i bazuar për shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar të zyrtarëve dhe personave përgjegjës në procedurat e prokurimit publik për të kryer punë ndërtimore dhe vepra zejtare në më shumë objekte të shëndetit publik në të gjithë vendin. Hetimi përfshin 15 persona, mes tyre dhe ish-Ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani./TV21