Një pjesë e seancës së tretë statutore për rastin e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa po vijon e mbyllur për publikun, me kërkesë të avokatit. Aty do të diskutohen materialet që mbrojtja i ka pranuar nga Prokuroria. Në fillim të seancës, Zyra e Prokurorit të Specializuar deklaroi se faza gjyqësore duhet të fillojë në mars të vitit 2021.

Në Gjykatën Speciale në Hagë është duke u mbajtur seanca e tretë mbi ecurinë e çështjes së Salih Mustafës, ndaj të cilit ka aktakuzë për krime të pretenduara të luftës. Mustafa po e ndjek seancën nga qendra e paraburgimit përmes video-lidhjes.

Prokurori Cezary Michalczuk duke folur për procesin e nxjerrjes së provave, tha se duhet sa më parë të përfundojë faza paragjyqësore dhe në pranverë të vitit të ardhshëm të nisë gjykimi.

“Prokurori synon që të përfundojë fazën paragjyqësore të procedurës nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe të kalojë në fazën gjyqësore sa më shpejt që është e mundshme dhe pas kësaj të dorëzojë dosjen e vet paragjyqësore. Duke pas këtë që e thash parasysh, duhet të gjithë të kemi si datë të synuar për fillimin e gjykatës diku marsin 2021”,tha ai.

Prokurori tha se do të dorëzojnë dosjen paragjyqësore më 15 shkurt të vitit 2021.

Ai tha se më 1 dhjetor, Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka dorëzuar mbrojtjes materialet lidhur me dëshmitarët, që sipas tij, janë 139 dokumente që përbehen nga 1991 faqe. Paraprakisht, më 16 nëntor te pala mbrojtëse ishin dorëzuar 396 dokumente me 1226 faqe që nuk kërkonin redaktim.

Ndërsa,  avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone tha se kanë marrë disa materiale nga prokuroria ku përfshihet një listë e gjatë që sipas tij duhet të diskutohet në seancë të mbyllur.

“Dua të ngre një çështje lidhur me materialet që më janë dorëzuar nga prokuroria, që të jemi të sigurt. Dua që kjo të bëhet në seancë të mbyllur sepse mund të përmend emra dhe këtë nuk dua ta bëj në seancë publike”, tha Von Bone.

Pas kësaj, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se do të vazhdohet me seancë të mbyllur për publikun.

Kujtojmë që, Salih Mustafa, i njohur si komandant Cali e ka filluar ballafaqimin me Gjykatën Speciale më 28 shtator të këtij viti. Ai është i arrestuari i parë nga Specialja dhe në seancën e parë është deklaruar i pafajshëm.