Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti njoftoi se kryeqyteti është vendosur në zonën e kuqe nga niveli qendror dhe rekomandohet mbyllja për një javë.

“Si arsyetim ka përdorur numrin aktiv të të infektuarve. Duke marr parasysh që Prishtina pakrahasimisht ka numrin më të madh të testeve, dhe po ashtu numrin më të madh të banorëve ne kemi kërkuar që kjo matje të bëhet me numrin e rasteve pozitive si përqindje e testeve. Por, kjo nuk është marr parasysh. Po ashtu kemi kërkuar që të jemi më fleksibil edhe me biznese për shkak se në kohën kur nuk ka ndihma apo infuzion të parave në ekonomi nga qeveria edhe një goditje pak më e gjatë do të jetë fatale për to, por rrjedhimisht edhe për shëndetin të cilin e kemi primar. “, tha Ahmeti përmes një statusi në rrjetet sociale.

I pari i Prishtinës vlerësoi se një gjë e tillë është e padrejtë.

“Përderisa jemi plotësisht të vetëdijshëm për situaten epidemiologjike në vend, dhe kemi zbatuar dhe do të zbatojmë masat e ndërmarra nga qeveria, ndarja e Komunave me statistika (të infektuar në 100 mijë banor) kur as numri i infektuarve e as numri i banorëve nuk është i saktë jep pasqyrë të padrejtë dhe masa joproporcionale për komunat. Rrjedhimisht kjo nuk mund të adresojë situaten epidemiologjike.”, përfundoi Ahmeti.

Ditëve të fundit në Kosovë është shënuar numër rekord i rasteve pozitivie me koronavirus. Vetëm dje në nivel të Kosovës janë shënuar 730 raste të reja nga 1794 të testuara. Nga këto raste pozitive nga komuna Prishtinë dje janë konfirmuar 312 raste.

Kësisoj edhe numri i rasteve aktive është i lartë 7278. Krahas rritjes së numrit të të prekurve, është rritur edhe numri  të vdekurve, vetëm dje janë raportuar 11 raste të vdekjes.

Numri total i rasteve pozitive  prej paraqitjes së virusit për herë të parë në Kosovë në mars është 24.155  prej tyre 755 kanë vdekur dhe 16.122  janë shëruar ./21Media