Muzeu Etnologjik ka mbyllur dyert sërish për vizitorët. Kësaj radhe një gjë e tillë nuk ndodh shkaku i ndonjë vendimi shtetëror, por një nga punonjësit ka rezultuar pozitiv në testin për COVID -19.

Kësisoj për dy javët në vazhdim ajo që njihet si “shtëpia e familjes”, që i takon shekullit XIX, nuk do të jetë e qasshme për vizitorë. Lajmi është bërë i ditur të martën nga punonjësit e Muzeut Etnologjik.

“Meqë në stafin e Muzeut Etnologjik kemi tanimë rast aktiv me COVID-19, sipas rekomandimit të IKSHP-së, hapësirat tona do të qëndrojnë të mbyllura derisa të përfundojë periudha e izolimit dyjavor”, shkruhet në njoftimin e stafit të Muzeut.

Ky institucion ishte i mbyllur më 13 mars, sikurse krejt institucionet kulturore të vendit shkaku i pandemisë. Ishte rihapur më 18 maj në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.