Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot gjatë vizitës në Qendrën Korrektuese në Lipjan, foli për mundësinë e shtrëngimit të masave sa i përket Covid-19, derisa ritheksoi se mbyllja e tërësishme është opsioni i fundit.

Zemaj në Qendrën Korrektuese u njoftua për nivelin e shërbimeve shëndetësore dhe shërbimeve të tjera që u ofrohen personave në mbajtje: femrave, të rriturve dhe të miturve, me qëllim që të njëjtit ta kenë kujdesin e duhur shëndetësor, por dhe të rehabilitohen dhe të jenë sa më të përgatitur për jetën post penale.

Ai vlerësoi lart punën e personelit aty që ka mundësuar që ne mesin e personave në vuajtje të dënimit dhe në paraburgim të mos ketë të infektuar, derisa numri i personave të prekur nga personali ka qenë fare simbolik dhe i menaxhuar.

“Ne do t’i furnizojmë të burgosurat me barna dhe shërbime të tjera të nevojshme”, tha Ministri Zemaj, duke theksuar se shëndeti i kategorive që janë në këtë qendër është i rëndësishëm dhe se janë shumë të rëndësishme për ta edhe aktivitete e rehabilitimit social.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaqi tha se vizita e Ministrit është një përkrahje për SHKK dhe “mundësi e jona që të prezantojmë të arriturat tona jo vetëm në pjesën e menaxhimit që ka dhënë rezultat”.

Gjatë vizitës në këtë qendër u bë e ditur se nga angazhimi i vet personave që janë në vuajtje të dënimit në këtë qendër apo në paraburgim janë qepur nga ta rreth 22 mijë maska mbrojtëse kundër Covid-19.

Në këtë vizitë Zemaj ishte bashkë me drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaqin dhe drejtorin e Shëndetësisë në burgje, Milazim Gjocajn./21Media