Më 19 prill 2021, në orën 15:00, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (“DHSK”) në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Pjetër Shalës. Kështu kanë bërë të ditur Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në aktakuzën e konfirmuar, sipas Dhomave të Specializuara, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.