Ilir Meta do të rikthehet në LSI, por më 24 korrik 2022, pikërisht ditën kur zyrtarisht i mbaron edhe mandati për president.

Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi përmes një postimi në “Facebook”.

Në postim thuhet se ishte e pritshme tjetërsimi i votave se nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë por ndërkohë falenderon dhe kryetaren e LSI-së për reflektimin.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta falenderon Kryetaren e LSI, znj.Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve.”

“Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morrën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor.”

Presidenti Meta e quan të ndershme dhe model fushatën e LSI dhe “sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore” thuhet në postimin e zëdhënësit Blushi.

Zëdhënësi i tij, Tedi Blushi shkruan se Meta më 24 korrilk 2022 do tu bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve.

“Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve”

Zyrtarisht Presidentit Ilir Meta i mbaron mandati më 24 korrik 2022.