Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se më 9 nëntor, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të paraqitet për herë të parë në sallën e gjyqit.

Paraqitja e tij do të bëhet në orën 15:00.

Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020, ndërsa ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Thaçin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale. Aktakuza e redaktuar publike mund të lexohet këtu.

“Paraqitja e parë e Hashim Thaçit do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./21Media