“Më mirë vonë se kurrë”, çka pritet pas vizitës së Kurtit në SHBA?

Vizita e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në SHBA ndonëse po vlerësohet pozitive nga analistët,  po konsiderohet edhe e vonuar.
Analisti politik, Dritëro Arifi, për portalin rtv21.tv thotë se çdo vizitë nën postin e sekretarit Blinken  është pozitive.
“Por jo ajo arritja maksimale  apo serioziteti që do të ia jepnin vizitës  së kryeministrit. Është mirë që ka shkuar po themi në një farë mënyre që ta fitojë  kryeministri një kredibilitet sidomos brenda Kosovës  pra që edhe kryeministri Kurti e vizitoi SHBA-në  por  është dashur që të bëhet ndoshta shumë më herët por  sidoqoftë më mirë vonë se kurrë.”, vlerëson Arifi.
E si vizitë të vonuar po e konsideron edhe analisti tjetër Fidan Ukaj. Një vonesë e tillë sipas tij është shkaktuar nga vet kryeministri Kurti.
“Vizita e paralajmëruar e Kryeministrit Kurti në SHBA mendoj se është pak e vonuar dhe kjo vonesë vjen për shkak te deklaratave të këtij të fundit ( Kryeministrit Kurti ) rreth disa temave që SHBA-të kanë kërkuar qe të vazhdojnë të zbatohen e ma konkretisht marrëveshja e nënshkruar në  SHBA, në Shtëpinë e Bardha në prezencën e Presidentit Trump dhe kryeministrave Hoti e Vuçiq dhe gazsjellësin që SHBA e kanë përkrahur dhe kanë kërkuar nga Kosova të jetë pjesë e atij gazsjellësi e që sot fatkeqësisht ne si Kosovë nuk jemi. “, thotë Ukaj.
Edhe analisti Dorajet Imeri  e vlerëson si vizitë të vonuar, por sipas tij e rëndësishme është që të jetë e suksesshme. Ai  nga kjo vizitë ndër tjerash pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta rikonfirmojnë edhe njëherë mbështetjen e palëkundur për Kosovën.
“E dyta që Kosova të tregoj deri në çfarë mase mund të prodhojë kompromise dhe SHBA-të ta mirëkuptojnë dhe ta mbështesin në atë aspekt.  Dhe e treta që kryeministri Kurti do të dëshmohet personalisht që është kryeministër që ka të qartë objektivat e tij  strategjike në të cialt Shtetet e Bashkuara të Amerikës  vazhdojnë të mbesin Konstanca e gjithë këtij ekuacioni”, pohon Imeri.
Si do të ndikojë kjo vizitë në raportin Kosovë-SHBA?
Dialogu, sundimi i ligjit konfirmim i përkrahjes së Amerikës për Kosovën, prodhim i efekteve pozitive, por edhe vërejtje e sugjerime  janë pritjet e analistëve pas vizitës së Kurtit në SHBA.
Dritëro Arifi thotë se çdo vizitë e kryeministrit  të Kosovës apo zyrtari të lartë të  Republikës së Kosovës është gjithmonë pozitive  edhe gjithmonë prodhon efekt pozitiv të marrëdhënieve  të bashkëpunimit të thellimit  të marrëdhënieve Kosovë- SHBA.
“Por duhet të priten edhe se çfarë premtime  dhe zotime do të merr kryeministri që t’i  realizojë kërkesat e SHBA-së  që janë kërkuar një kohë të gjatë pra që ka të bëjë me sundimin e ligjit  e sidomos me dialogun, pra unë pres mandej rezultatet të na tregojnë në njëfarë mënyre seriozitetin të vizitës së kryeministrit Kurti.”, vlerëson Arifi.
Kurse,  Fidan Ukaj vlerëson se përveç përkrahjes së Amerikës për Kosovën pret edhe vërejtje për autoritetet e Kosovës, për të qenë me e përgjegjshme në politikat e saja.
“Mendoj se do të kërkohet edhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura me Serbinë dhe vazhdimi i dialogut drejt arritjes se një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale. Raportet me Amerikën janë të qëndrueshme dhe shumë miqësore e do te mbesin të tilla gjithmonë varësisht se cila qeveri do te vijë në pushtet në Kosovë”, thotë Ukaj.
Ndërsa, analisti Dorajet Imeri këtë vizitë po e sheh si mundësi për forcimin e mëtejmë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së
“ Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të shihen pa hezitim partneri strategjik që ka Kosova dhe prandaj kjo vizitë duhet të jetë në shërbim të forcimit të raporteve tona bilaterale me SHBaA plus njëkohësisht edhe si ta themi ta takimi në të cilin kryeministri Kurti duhet ta marrë  instruksionet se si duhet  të shkojë më tej në kuptimin e plotësimit  të obligimeve ndërkombëtare që ka Kosova dhe  të përmbylljes të sa më shpejt të bisedimeve Kosovë- Serbi. “, pohon Imeri për portalin rtv21.tv
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka filluar  sot vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Siç kanë njoftuar nga Zyra e Kryeministrit gjatë qëndrimit në ShBA, Kurti  do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.
Po ashtu bëhet e ditur se sot do të takohet me përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)./21Media

Back to top button