Ceremonia e pranimit të detyrës së Ylfete Fanajt si kryetare e parlamentit të kantonit të Lucernit është shoqëruar me këngën “Moj e bukura More”, kënduar para të pranishmëve nga një këngëtare zvicerane.

Ditë më parë, Fanaj, 37 vjeçare, nëpërmjet një shkrimi në Facebook tha se marrja e kësaj detyre është nder i lartë për të, duke shtuar se mezi po i pret takimet e këtij viti.

Ky është posti më i lartë i udhëhequr nga një person me origjine shqiptare në Zvicër.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot nëpërmjet një shkrimi në Facebook e ka uruar Fanajn për detyrën e re.

Ai tha se suksesi i Fanajt është shembull dhe dëshmi se si me mund, përpjekje e besim, ndonëse larg vendlindjes, shqiptarët mund të jenë bartës të vlerave dhe ushtrues të detyrave të rëndësishme në institucionet e shteteve ku ata jetojnë dhe veprojnë.

E uroj znj. Fanaj për detyrën e re. Zvicrën dhe Kosovën i lidhë e kaluara dhe e tashmja. Le të punojmë si politikanë shqiptarë dhe me orientim socialdemokrat që kjo lidhje të mirëmbahet, kultivohet dhe zhvillohet tutje në të ardhmen. I dëshiroj suksese dhe punë të palodhshme“, shkroi Kurti./21Media