Me moton ‘Solidaritet dhe Qëndrueshmëri’, sonte filloi edicioni i tetë i Festivalit ‘FemArt’ e që do të vazhdoj deri më 20 tetor.

Qendra për Art dhe Komuniteti ‘Artpoli’, për herë të tetë organizon ‘FemArt’, Festivalin ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste në Prishtinë.

“FemArt” është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh edhe më i madhi në rajonin e Ballkanit që vazhdon të bashkojë artistë dhe aktivistë nga e gjithë bota në zemër të Kosovës prej vitesh.

Koncepti dhe formati i festivalit FemArt këtë edicion ka ndryshuar si rezultat i përballjes me COVID-19. “FemArt” pas një pune të madhe dhe me sfida, në këtë edicion të jashtëzakonshëm, do të jetë festivali i parë i organizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me publikun në vitin 2020 në Kosovë dhe do të përfshijë më së shumti artiste/ë vendor sesa ndonjë edicion tjetër i “FemArt-it” deri tani.

“Moto e festivalit FemArt 2020 “Solidaritet dhe Qëndrueshmëri” synon solidaritetin si parim të mbështetjes së ndërsjellë në mes grave dhe vajzave, artisteve dhe aktivisteve që punojnë për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave dhe qëndrueshmëri si aftësi për t’i bërë ballë fatkeqësive, traumave dhe sfidave duke u ngritë në këmbë sa herë rrëzohemi e duke e ngritë zërin sa herë që mundohen të na heshtin”, bëhet e ditur në komunikatë.

Aktivitetet që e karakterizojnë këtë edicion janë: 2 ekspozita, 2 koncerte, 1 publikim i raportit, 1 konferencë ndërkombëtare, 3 panele diskutimi, 1 publikim i broshurës, 6 shfaqje/performanca teatrale, 2 dans teatër, 3 punëtori, 10 filma, 6 podcast./21Media