Me Termocentralin “Kosova e Re”, do të shtrenjtohet rryma

Me fillimin e punës së Termocentralit “Kosova e Re” tarifat e energjisë elektrike do të shtrenjtohen mbi 50 përqind

Udhëheqësi i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Ymer Fejzullahu, ka deklaruar sot se nga 60 euro sa është çmimi aktual për megavat, do të ngritet në 90 euro me të filluar së funksionari TC “Kosova e re”.

Këto të dhëna janë bërë publike gjatë një diskutimi të organizuar nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm(KOSID) me temën “Tërheqja e Bankës Botërore nga investimet në thëngjill”.

“Rregullatori e ka bërë një vlerësim preliminar, dhe është thënë se mbi 50 përqind është ndikimi që pritet në vitin kur hyn në operim Kosova e re”, ka thënë Fejzullahu.

Bashkëthemeluesi i KOSID Haki Abazi është shprehur se tërheqja e Bankës Botërore nga përkrahja financiare për projektin “Kosova e re”, është vendim i qëlluar dhe mjaft me rëndësi. Një ndër arsyet e tërheqjes së BB nga “Kosova e re” është çështja mjedisore dhe sociale.
Abazi ka thënë se alternativa për prodhimin e energjisë do të ishte investimet në energji të ripërtëritshme dhe shfrytëzimi i interkonjeksionit me Shqipërinë. Ai ka shtuar se prodhimet e energjisë me thëngjill janë të dëmshme për ambientin dhe qytetarët, ngaqë TC “Kosova A” mbetet ndotësi më i madh në Evropë.

“Nëse dëshironi me lidhë procesin mjedisor që e ka bërë Banka Botërore, që në fakt është edhe vlerësim social, tri herë është nisur dhe është lënë në gjysmë, asnjë herë nuk është përfunduar. Këtë proces e kemi ndjekur hap pas hapi. Kanë ardhur delegacione kosulente prej Evropës, prej Shteteve të Bashkuara dhe kur e kanë parë se në çfarë gjendje është dhe çfarë impakti ka me pasur deri te zhvendosja e popullatës nuk e kanë përfunduar asnjë herë. Kjo është arsyeja e pse është tërhequr Banka Botërore”, ka deklaruar Abazi.

Ndërsa, Viktor Berisha, ka thënë se ka shkelje ligjore për dhënien e pëlqimit për çështje mjedisore kompanisë “Contour Global” nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për çka edhe ka paditur këtë Ministri.

“Pëlqimi mjedisor I cili është dhënë sipas studimeve tona është ka shkelje shumë të mëdha sa I përket involvimit të publikut dhe palëve të interesit në diskutim të këtij vlerësimi mjedisor që është tani. Ka shkelje direkte të ligjeve të Kosovës dhe në bazë të të cilave ne edhe kemi ngritur padi kundër Ministrisë së Mjedisit për shkak të shkeljeve procedural të cilat kanë ndodhur”, ka thënë Berisha.

Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi, ka theksuar se sa i përket ndotjes së ambientit nga “Kosova B ekzistojnë fondet prej 78 milionë euro për ndërrimin e filtrave, por sipas tij, KEK nuk po arrijë ta procedojë këtë projekt për shkak të procedurave tenderuese.
Matoshi po ashtu ka deklaruar se nga Ministria e Ambientit janë dhënë të gjitha pëlqimet mjedisore kompanisë “Contour Global” për ndërtimin e “Kosovës së Re”. Matoshi tha se nuk ka informatë për padinë e ushtruar nga shoqëria civile ndaj Ministrisë.

“Të paktën zyrtarisht nuk jam i njoftuar(për padi). Dua me besua që vendimi për pëlqimin mjedisor është i rregullt dhe dua me ftua Gjykatën për këtë padi me trajtua me urgjencë. Edhe ne bëjmë padi, kemi inspektorat, bëjmë padi të ndryshme kohë pas kohe, i kemi bërë ndotësve të ndryshëm, I kemi bërë edhe KEK-ut”, ka thënë Matoshi.

Ndërsa, edhe Dajana Berisha nga FIQ i është gëzuar vendimit të BB për tërheqjen nga projekti “Kosova e Re”.
Berisha thënë se ndër arsyer e tërheqjes së BB nga Kosova e re është edhe planifikimi për zhvendosjen e pa dinijtetshme të banorëve të Hades.

“Banka Botërore një nga arsyet madhore për të cilën ata janë tërhequr prej investimeve në Termocentralin Kosova e re, ka qenë edhe mos përputhja ose mos zbatimi si duhet për një zhvendosje të dinjitetshme të banorëve të Hades. Kjo është një fitore e përbashkët me KOSID”, ka deklaruar Berisha.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se ndërtimi i projektit “Kosova e re” do të fillojë këtë vit.

Back to top button