Profesorët universitarë, Milazim Krasniqi dhe Sali Bashota janë dekoruar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e pareshtur në publicistikën, kulturën dhe arsimin tonë.

Po ashtu Thaçi ka ndarë medalje edhe për shkrimtarin, Abdullah Konushevci.

“Profesorët Milazim Krasniqi dhe Sali Bashota, sot i dekorova me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e pareshtur në publicistikën, kulturën dhe arsimin tonë. Po ashtu, pas vdekjes, këtë medalje e ndava edhe për shkrimtarin e shquar, Abdullah Konushevci. Si studiues, shkrimtarë dhe publicistë, me punë dhe përkushtim të pandalshëm, të dekoruarit i kanë dhënë frymë të re studimeve albanologjike dhe vlera kombëtare letërsisë shqipe”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij “Facebook”.

Ndërkaq, profesori Krasniqi u shpreh i nderuar. “Ndihem i nderuar nga kjo mirënjohje, sepse angazhimi im letrar e kulturor në projektin e pavarësimit të Kosovës, me theks nëpërmjet Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1989-1999) dhe revistës “Fjala” (1990-1995), ka qenë evident. Nuk është rastësi që dy simbole të projektit të pavarësisë janë shkrimtarët Adem Demaçi dhe Ibrahim Rugova. Sigurisht që janë edhe shumë të tjerë që kanë kontribute të çmueshme. U ndieva shumë i kënaqur që me këtë rast u nderuan edhe dy poetë të brezit tim, Sali Bashota dhe poeti i ndjerë, Abdullah Konushevci. E pashë edhe si një rast që mund të ndikojë që instucionet shtetërore dhe shoqëria jonë ta kthejnë vëmendjen drejt shkrimtarëve dhe letërsisë shqipe,e cila po përjeton injorim dhe është në krizë.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. /21Media