Mehaj në Hagë: UÇK-ja do të dalë sërish fitimtare

Ai tha të gjithë ish-krerët e UÇK-së ishin të fortë e me moral të lartë.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i ka vizituar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale të cilët janë duke u gjykuar në Hagë.
Mehaj ka njoftuar se është takuar me Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën, ndërsa thotë se ka biseduar shkurt edhe me, Hysni Gucatin i cili është duke u përballur me probleme shëndetësore.
Ai tha të gjithë ish-krerët e UÇK-së ishin të fortë e me moral të lartë.
“Në takimet që kam realizuar me secilin, i kam njoftuar me zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve tona profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për antarësim në PfP dhe NATO të cilat janë në funksion të plotë të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së gjithë territorit të Republikës sonë. Të gjithë me moral të lartë e të fortë ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka shkruar Mehaj në “Facebook”.
Ai uroi që të gjithë të lirohen sa më shpejt. Ndërsa, tha se UÇK do të dalë sërish fitimtare!
“Ne besojmë pa asnjë hamendësim në pafajsinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare. Gjithashtu, ndajmë bindjen e thellë që gjykimi i tyre është i padrejtë. Ne do te jemi gjithnjë krenar me luftën e UÇK-së, ka qenë UÇK-ja ajo që na ka bërë bashkë për të fituar lirinë tonë, në këtë pikë do të mbetemi përherë bashkë dhe kjo do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë. Uroj që të gjithë të lirohen sa më shpejt. Ditët e së ardhmës së Republikës sonë qofshin sikur pikturat e Rexhës – sa të bukura aq përmbajtjesore”, ka thënë ai./21Media

Back to top button